Prezantohet studimi për sistemin e drejtësisë në Kosovë

Organizata jo-qeveritare Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) mbajti një konferencë për mediat, ku u prezantuan gjetjet e studimit dhe analizës, e cila sipas kësaj organizate ofron rrugëzgjidhje se çfarë duhet të ndërmerret në Kosovë për “ta çliruar sistemin e drejtësisë nga politika dhe për të krijuar mundësi për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

Drejtori i IKD-së, Betim Musliu, gjatë prezantimit të gjetjeve theksoi se lufta kundër korrupsionit në Kosovë zhvillohet kundër profilit të ulët dhe të mesëm, ndërsa shumë pak sipas tij zhvillohet ndaj profilit të lartë. Ai tha se numri i aktakuzave të ngritura kundër korrupsionit të nivelit politik ka arritur në 90 për qind duke theksuar se këto raste përfundojnë si aktakuza që nuk arrijnë të provohen në gjykata.

Ai tha më tej se institucionet e drejtësisë në praktikë janë të politizuara dhe “në asnjërën nga pozitat e larta udhëheqëse nuk mund të bëhet përzgjedhja e tyre pa u ndikuar nga politika.”

Musliu gjithashtu shtoi se kanë kaluar dy dekada që nga përfundimi i luftës në Kosovë dhe asnjë zyrtar i lartë nuk është burgosur që nga përfundimi i luftës, ndërsa shtoi se besueshmëria e qytetarëve në sistemin e drejtësisë pra në atë prokurorial dhe gjyqësor është 15 për qind.

Drejtori i IKD-së tha s se zgjidhja më e mirë në luftën kundër korrupsionit do të ishte themelimi i një prokurorie dhe gjykate të pavarur nga politika në Kosovë. Ai theksoi se një model i ngjashëm është duke shënuar rezultate të mira e konkrete në Maqedoni.

“Në këtë situatë që është krijuar të krijohet një prokurori dhe një gjykatë speciale për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo gjykatë dhe kjo prokurori do të duhej që të ishte totalisht institucion i pavarur me një mandat të kufizuar dhe rekrutimi i gjithë stafit në këtë gjykatë dhe prokurori do të duhej të bëhej nga SHBA-të në dhe Britania e Madhe”, tha Musliu.