Princi i Kurorës Saudite: Nuk kemi probleme me hebrenjtë

Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Muhamed bin Selman, ka mbrojtur të drejtën që edhe palestinezët, edhe izraelitët të kenë tokën e tyre, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një intervistë për revistën The Atlantic, princi saudit tha se beson që të gjithë popujt kanë të drejtën për të jetuar në paqe në vendin e tyre.

“Besoj që palestinezët dhe izraelitët kanë të drejtë të kenë tokën e tyre por duhet arritur një marrëveshje paqeje e cila do të garantonte marrëdhënie të mira”, ka thënë bin Selman.

I pyetur nëse vendi i tij prodhon retorikë antisemite Selman e mohoi një gjë të tillë, duke cituar numrin e madh të hebrenjve nga SHBA dhe Evropa që vizitojnë Arabinë Saudite.

“Vendi ynë nuk ka problem me hebrenjtë. Profeti ynë Muhamedi (a.s) u martua me një grua hebreje”, tha princi Selman.

“Nuk ka asnjë problem mes të krishterëve, muslimanëve dhe hebrenjve”, shtoi ai.

Ndërkaq, Jeffrey Goldbery, i cili zhvilloi intervistën me bin Selman në emër të revistës, tha se intervista ndodh para zhvillimeve të fundit në Rripin e Gazës,

“Nuk besoj që princi i kurorës do t’i kishte shpalosur mendimet e tij në lidhje me këto zhvillime. Ashtu si shumë vende arabe, edhe sauditët janë lodhur nga palestinezët”, shtoi gazetari.

Bin Selman po ashtu tha se Irani, Vëllazëria Muslimane dhe grupet terroriste Al-Kaeda dhe DEASH, të cilët i ka cilësuar si “trekëndëshi i djallit”, përpiqen ta përhapin Islamin me forcë dhe ta rikthejnë kalifatin.

– “Hamenei është më i rrezikshëm se Hitleri”

Ashtu sikurse në intervistat e mëparshme gjatë vizitës në SHBA, Muhamed bin Selman sërish vuri në shënjestër liderin shpirtëror të Iranit, Ajetullah Ali Hamenei, për të cilin tha se është më i rrezikshëm se Adolf Hitleri.

“Hitleri duket më i mirë pranë Hameneit. Hitleri nuk e bëri atë që tenton ta bëjë Hamenei. Hitleri u përpoq ta sundojë Evropën, që është gjë e keqe, por Hamenei përpiqet ta sundojë tërë botën”, vlerësoi ai.

Ndryshe, princi saudit më herët ka zhvilluar intervistë edhe me revistën Time, në të cilën kishte thënë se forcat amerikane duhet të qëndrojnë në Siri të paktën në periudhë afatmesme, pasi, sipas tij, në këtë mënyrë do të pengohej rritja e ndikimit iranian në rajon.