Ballina Lajmet Kosovë Prindërit ende pa pagesa për tekstet shkollore, MASHT hesht për vonesat

Prindërit ende pa pagesa për tekstet shkollore, MASHT hesht për vonesat

Gati një muaj pas fillimit të vitit të ri shkollor 2025/26, shumë prindër ende nuk i kanë marrë mjetet financiare për tekstet shkollore.

Në redaksinë e Telegrafit kanë mbërritur disa ankesa nga qytetarë, të cilët shprehen se pagesat nuk janë ekzekutuar ende, duke u shkaktuar kështu vështirësi financiare në përballimin e shpenzimeve shkollore për fëmijët e tyre.

Lidhur me këtë situatë, Telegrafi ka dërguar pyetje në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk ka marrë ndonjë përgjigje zyrtare.

Po ashtu, redaksia ka tentuar të kontaktojë edhe ministren në detyrë të Arsimit, Arbërie Nagavci, por e njëjta nuk ka kthyer përgjigje.

Ministrja Nagavci nuk ka bërë asnjë deklarim publik kohët e fundit për ecurinë e procesit të subvencionimit të teksteve shkollore, dhe nuk është e qartë nëse ky proces është përmbyllur me sukses.

Në postimet e saj të fundit në rrjetet sociale, vërehet se ajo e ka përqendruar vëmendjen kryesisht në fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 12 tetorit.

Më 25 gusht, Nagavci kishte bërë të ditur se pagesat e para për tekstet shkollore ishin ekzekutuar, por që nga ajo ditë nuk është dhënë asnjë njoftim tjetër zyrtar në lidhje me vazhdimin e procesit.

Ndërkohë, disa ditë më parë, Qeveria në një mbledhje të mbajtur njoftoi se ka ndarë mbi dy milionë euro për Ministrinë e Arsimit, me qëllim përmbylljen e këtij procesi të subvencionimit të teksteve shkollore.