Prishtina kërkon gjysmëfinalen, Vëllaznimi barazimin e serisë

Sigal Prishtina synon të siguroj sonte serinë gjysmëfinale në Superligën e Kosovës në basketboll.

Prej orës 20:00 në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë, Prishtina përballet me Vëllaznimin në ndeshjen e dytë të serisë çerekfinale të plejofit.

Aktualisht, Prishtina avancon 1:0 pas fitores në duelin e parë të luajtur të dielën e shkuar në kryeqytet, të cilin e fitoi me shifrat 72:64.

Kështu që, Prishtinës i nevojitet vetëm edhe një fitore për ta eliminuar Vëllaznimin dhe për të siguruar gjysmëfinalen, seri në të cilën e pret përballja me skuadrën e Trepçës. Megjithatë, Prishtina nuk do ta ketë lehtë ta mposht Vëllaznimin në Gjakovë, duke pasur parasysh se në stinorin e rregullt i ka humbur dy ndeshjet në palestrën “Shani Nushi”.

Sikurse Prishtina edhe Vëllaznimi është i motivuar për ta fituar këtë duel dhe për ta dërguar serinë në ndeshjen e tretë dhe vendimtare, e cila do të luhej në kryeqytet. Te Vëllaznimi janë të vendosur për ta dërguar serinë çerekfinale në ndeshjen e tretë dhe për këtë arsye kanë ftuar tifozët ta mbushin palestrën për ndeshjen e dytë. Prishtina po synon ta eliminoj Vëllaznimin me dy ndeshje në çerekfinale, në mënyrë që të fokusohet tërësisht në Ligën Ballkanike.

Në Ligën Ballkanike, Prishtina përballet me Lovqenin e Malit të Zi në kuadër të gjysmëfinales. “Final 4” i Ligës Ballkanike mbahet në Qipro, ndërsa Prishtina gjysmëfinalen me Lovqenin e luan të premten.

Në gjysmëfinalen tjetër të kësaj gare, përballen AEL-i qipriot me skuadrën e Pejës. Në “Final 4” të Ligës Ballkanike, Prishtina paraqitet si fituese e stinorit të rregullt.

Vendin e parë e siguroi javën e shkuar me fitoren e vështirë ndaj Pejës dhe kishte një bilanc prej gjashtë fitoreve e dy humbjeve. Megjithatë, para se të fokusohet në Ligën Ballkanike, Prishtina synon ta siguroj gjysmëfinalen në plejofin e Kosovës.