Procesorët e fuqishëm Threadripper të AMD rikthehen me deri në 96 bërthama

AMD do të shesë gjashtë çipe Threadripper Pro duke filluar nga modeli bazë 7945WX me 12 bërthama dhe 24 threads.

AMD do të ri-sjellë procesorët Threadripper me dy kategori të reja dhe dy chipset. Kompania do të ofrojë disa variante Threadripper Pro dhe disa jo-Pro.

Të parët janë dizajnuar për kompjuterët më të fuqishëm të punës për profesionistët ndërsa seritë jo-Pro (HEDT) shkojnë për kompjuterët personalë të segmentit të lartë të cilët nuk duan tetë kanale memorie apo sasi të mëdha linja PCIe Gen 5.

Të dy linjat Pro dhe HEDT janë të bazuara në arkitekturën e re Zen 4 të AMD me qasje në memorien më të fundit PCIe Gen 5. Në krye qëndron Threadripper Pro 7995WX që ofron 96 bërthama dhe 192 threads me frekuencë maksimale prej 5.2Ghz dhe 384MB L3 cache dhe 129 linja PCIe Gen 5.

AMD do të shesë gjashtë çipe Threadripper Pro duke filluar nga modeli bazë 7945WX me 12 bërthama dhe 24 threads.

Ndërkaq seritë Threadripper HEDT janë opsionet më të prekshme për këdo që punon në dizajn, prodhim, arkitekturë, inxhinieri, dhe media. AMD do të ofrojë tre modele Ryzen Threadripper por nuk kushtojnë pak.

Flagshipi Threadripper 7980X ofron 64 bërthama dhe 128 threads me frekuencë maksimale prej 5.1Ghz dhe 320MB cache në total. Çmimi i tij është 4999 dollarë. Linja vijon si mëposhtë:

  • AMD Ryzen Threadripper 7980X – 4999 dollarë, 64 bërthama, frekuencë 5.1Ghz, 320MB cache, 350W TDP
  • AMD Ryzen Threadripper 7970X – 2499 dollarë, 32 bërthama, frekuencë 5.3Ghz, 160MB cache, 350W TDP
  • AMD Ryzen Threadripper 7960X – 1499 dollarë, 24 bërthama, frekuencë 5.3Ghz, 152MB cache, 320W TDP

Normalisht nëse planifikoni të ndërtoni një workstation me procesor Threadripper, duhet të mendoni edhe për memorien dhe pllakën amë me të cilin do ta kombinoni.

AMD gjithashtu prezantoi pllakat amë TRX50 për çipet HEDT dhe WRX90 për çipet Pro. Teknikisht edhe pllakat amë TRX50 mund të pranojnë procesorët Threadripper Pro me 96 bërthama dhe 192 threads, por nuk do të ketë mbështetje për memorien me 8 kanale e as 128 linjat e PCIe Gen 5.

Mbetet për tu parë pas testimeve dhe analizave sesi krahasohen përballë çipeve Intel Xeon apo Intel Core ose pse jo Ryzen 7000 të AMD. Të dy variantet e procesorëve Threadripper do të jenë në shitje prej datës 21 Nëntor.