Prokurori i rastit jep detaje për vrasjen e Aulon Zekës

Dy persona janë arrestuar dje për vrasjen e 16 vjeçarit, Aulon Zeka në afërsi të shkollës ‘Model’ në Prishtinë.

Njëri nga të arrestuarit, i dyshuari kryesor i vrasjes së 16 vjeçarit është i mituri, Guxim Hadri, i njohur ndryshe si djali i ish-drejtorit të Muzeut të Kosovës, Arbër Hadrit.

E dyshuara tjetër e arrestuar për këtë rast është vajza e cila edhe dyshohet të ketë qenë motiv për arritjen deri tek vrasja e Aulon Zekës, e që saktësisht bëhej fjalë për një lidhje dashurie.

Në një prononcim për Indeksonline, prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Valdet Gashi ka thënë se rasti në fjalë tashmë ka kaluar tek Prokuroria për të mitur.
Gjithashtu sipas tij ende nuk është bërë kërkesa për masën e shqiptimit të arrestit por që pritet të bëhet së shpejti pasi janë në afate ligjore.

“Afati ligjorë është 24 orë kur edhe duhet të dal para Gjykate i mituri. Tanimë e dini se janë dy persona të dyshuar për vrasjen e 16 vjeçarit, njëri është mashkull dhe tjetra femër, që të dy të mitur. Rasti ka kaluar nga unë në Prokuroren për të mitur. Prandaj në momentin që ka ndodhur rasti për të miturit rastin e merr prokurori i posaçëm”, ka shtuar Gashi.

Gashi ka thënë po ashtu se pas marrjes së rastit të prokurores për të mitur brenda 24 orëve do të bëhet edhe kërkesë në Gjykatë për masën e shqiptimit të arrestit.

“Prokuroria vetëm e bënë kërkesën për caktimin e masës së shqiptimit të arrestit, Gjykata është ajo që e shqipton. Me siguri prokurori tash do të bëjë kërkesën brenda afatit të caktuar ligjor. Ne kemi ende afat për këtë”, ka përfunduar Gashi.

Duhet përkujtuar që viktima, Aulon Zeka, 16 vjeçar dyshohet të ishte kërcënuar haptazi ditë më parë përmes rrjeteve sociale nga i dyshuari Guxim Hadri, ku më pas u gjet i vrarë në një nga rrugët e Prishtinës.