Prokuroria në Pejë fillon hetimet për shkelje në rastin e dënimit të dyshuarit për dhunimin e 15-vjeçares

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj, si autoritet kompetent, që të rishqyrtojë lëndën penale të prokurores Lirije Morina dhe nga të gjeturat të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

E menjëherë Prokuroria Themelore në Pejë, ka ndërmarr veprimet e para procedurale për gjetjet e shkeljeve disiplinore apo ndonjë shkelje tjetër eventuale nga bartësi i kësaj lënde.

“Prokuroria Themelore në Pejë, njofton opinionin publik, se lidhur me rastin me numër: PP.nr.68/12 për veprën penale ‘Dhunimi’, nga neni 193, paragrafi 2, të KPK-së, Kryeprokurori i kësaj prokurorie, Agim Kurmehaj, pas koordinimit me Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kërkesës së  tij, për shqyrtimin e këtij rasti, menjëherë janë ndërmarrë veprimet e para procedurale për gjetjet e shkeljeve disiplinore apo ndonjë shkelje tjetër eventuale nga bartësi i kësaj lënde. Pas përfundimit të gjitha procedurave dhe gjetjeve nga autoriteti kompetent, do vendoset konform ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Pejës.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka kërkuar sot shkarkimin e gjyqtares dhe prokurores që janë marrë me rastin e përdhunimit të 15-vjeçares në Pejë, për shkak të dënimit të ulët që i është dhënë kryerësit të kësaj vepre.

Përfaqësues të kësaj organizate vendosën banerë në muret e këtyre institucioneve të drejtësisë, ku kishin paraqitur kërkesat e tyre, e më pas u larguan të qetë