Prokurorja e GJNP-së shpreh shqetësime për dhunën në Palestinë

Fatou Bensouda

Prokurorja e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) Fatou Bensouda shprehu shqetësime rreth përshkallëzimit të dhunës në Bregun Perëndimor nën okupim, Kudsin Lindor dhe Gaza, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Me shqetësim shumë të madh po ndjek përshkallëzimin e dhunës në Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor si dhe brenda dhe përreth Gazës, dhe kryerjen e mundshme të krimeve sipas Statutit të Romës”, tha Bensouda në një postim të GNJP-së në Twitter.

“Unë bëj me dije se hetimet e zyrës sime do të mbulojnë të gjitha palët dhe të gjitha faktet dhe provat e rëndësishme për vlerësim nëse ka përgjegjësi penale individuale sipas statutit”, shtoi ajo.

Bensouda bëri thirrje për “qetësi, përmbajtje dhe ndalim të dhunës”.

Të paktën 48 palestinezë janë martirizuar dhe 304 të tjerë janë plagosur nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës, tha Ministria palestineze e Shëndetësisë.

Po ashtu pesë izraelitë e kanë humbur jetën dhe 45 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve me raketa të lëshuara nga grupi i rezistencës palestineze Hamas.

Palestinezët kanë protestuar ndaj një vendimi të gjykatës izraelite javën e kaluar mbi dëbimet e familjeve palestineze në lagjen Sheikh Jarrah të Kudsit Lindor. /aa