Protestuesit bllokojnë rrugët e Sudanit

Protestuesit në Sudan sot kanë bllokuar rrugën kryesore në kryeqytetin Khartoum, duke kërkuar vendosjen e plotë të pushtetit civil, raporton Anadolu Agency (AA).

Protestuesit i vunë flakën gomave dhe ngritën barrikada në rrugët kryesore në qytetet Bahri dhe Omdurman, të pakënaqur me shtypjen e protestave, raporton gazetari i AA-së nga vendi i ngjarjes.

Mjekët vendorë theksuan se tre protestues humbën jetën të hënën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën gjatë protestave për të vendosur pushtet të plotë civil në Sudan.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Khartoum ka paralajmëruar qytetarët e saj që të shmangin turmat dhe demonstratat.

“Forcat e sigurisë mund të mbyllin urat. Protestat e paparalajmëruara dhe mosbindja civile mund të vazhdojnë në javët e ardhshme”, thuhet në njoftim.

Trazirat në Sudan filluan më 25 tetor të vitit 2021, kur ushtria sudaneze përmbysi qeverinë kalimtare të kryeministrit Abdullah Hamdok dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme.

Megjithatë, Hamdok u rikthye në pushtet më 21 nëntor, sipas një marrëveshjeje me Abdel Fattah al-Burhan, komandantin e ushtrisë sudaneze, në një lëvizje që synonte zgjidhjen e krizës politike që kërcënoi të minonte tranzicionin e Sudanit drejt demokracisë.

Derisa vendet dhe organizatat rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, e mirëpritën marrëveshjen, forcat politike dhe civile sudaneze e refuzuan atë, duke e quajtur atë një “përpjekje për të legjitimuar grushtin e shtetit”.

Para marrjes së pushtetit ushtarak, Sudani drejtohej nga një Këshill sovran i Zyrtarëve Ushtarakë dhe Civilë, i cili mbikëqyrte periudhën e tranzicionit deri në zgjedhjet e shpallura për vitin 2023. /aa