Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Pse qeveritë e Amerikës Latine përkrahin regjimin sionist të Netanyahut?

Pse qeveritë e Amerikës Latine përkrahin regjimin sionist të Netanyahut?

Publiku gjithnjë e më kritik ndaj Izraelit, qeveritë forcojnë lidhjet politike, ushtarake dhe teknologjike me Tel Avivin

Një përçarje e thellë po shfaqet në Amerikën Latine. Sondazhe të shumta tregojnë se një pjesë e madhe e popullsisë e sheh me sy kritik fushatën ushtarake të Izraelit në Gaza, të cilën shumë organizata dhe aktivistë e cilësojnë si gjenocid.

Megjithatë, qeveritë e reja të djathta në vende si Argjentina, Kili, Ekuadori, Peruja, Bolivia, Hondurasi, Kosta Rika dhe Kolumbia po ndjekin një drejtim krejtësisht të kundërt.

Këto qeveri po forcojnë bashkëpunimin diplomatik, ushtarak dhe teknologjik me Izraelin, ndërsa po zbehet mbështetja tradicionale e rajonit për çështjen palestineze.

Shembulli më i qartë është Kolumbia. Ish-presidenti i majtë Gustavo Petro, i njohur për qëndrimet e tij në mbështetje të palestinezëve, u zëvendësua nga Abelardo De La Espriella, një figurë e afërt me qarqet konservatore dhe me lidhje me presidentin amerikan Donald Trump.

Petro ka akuzuar kompaninë izraelite të inteligjencës kibernetike BlackCore për përdorimin e qindra mijëra llogarive të rreme në rrjetet sociale për të ndikuar në zgjedhje.

Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e përshëndeti menjëherë fitoren e presidentit të ri, duke deklaruar se “miqtë e Izraelit vazhdojnë të fitojnë”.

Presidenti i zgjedhur ka paralajmëruar pezullimin e planeve për hapjen e ambasadës kolumbiane në Palestinë, si edhe rivendosjen e marrëdhënieve të plota me Izraelin.

Edhe Bolivia, e cila ndërpreu marrëdhëniet me Izraelin pas sulmeve të 7 tetorit 2023, vendosi t’i rikthente ato me ardhjen në pushtet të qendrës së djathtë.

Edhe te Venezuela dhe Kuba, vihet re e njëjta gjë, teksa presioni i vazhdueshëm amerikan ka ndryshuar ekuilibrat politikë në rajon dhe ka krijuar kushte më të favorshme për ndikimin izraelit.

Një pjesë e rëndësishme e këtij ndikimi, lidhet me teknologjinë e mbikëqyrjes dhe industrinë e armëve. Programi Pegasus, i zhvilluar në Izrael, është përdorur nga disa qeveri latino-amerikane për të monitoruar gazetarë, aktivistë dhe kundërshtarë politikë.

Në Brazil, policia përdor armë dhe pajisje izraelite në operacionet e saj në lagjet e varfra, ndërsa agjentë izraelitë kanë bashkëpunuar me autoritetet vendase në hetime që lidhen me grupin Hezbollah.

Në qendër të vëmendjes ndodhen edhe zgjedhjet e ardhshme në Brazil. Flavio Bolsonaro, djali i ish-presidentit Jair Bolsonaro, e ka nisur fushatën e tij me mbështetjen publike të Netanyahut dhe të presidentit argjentinas Javier Milei, i cili e ka quajtur veten “fanatik të Izraelit”.

Nga ana tjetër, presidenti aktual Luiz Inácio Lula da Silva mbetet një nga udhëheqësit e paktë të rëndësishëm të rajonit që vazhdon ta quajë luftën në Gaza një gjenocid.

Paradoksalisht, disa nga aleatët më të afërt të Izraelit në Amerikën Latine kanë origjinë palestineze. Presidenti i Salvadorit, Nayib Bukele, dhe presidenti i Hondurasit, Nasry Asfura, janë dy shembuj të tillë.

Kompanitë e mbikëqyrjes, marrëveshjet e armëve dhe fushatat e dezinformimit kanë zgjeruar ndjeshëm ndikimin e Izraelit në Amerikën Latine. Kjo ka krijuar një hendek gjithnjë e më të madh midis elitave politike dhe qytetarëve të zakonshëm, të cilët vazhdojnë të shprehin mbështetje për palestinezët. /tesheshi