Punëtorët e Hyundait në Korenë e Jugut paralajmërojnë grevë nëse nuk rriten pagat

Sindikata e punëtorëve të Hyundai Motors në Korenë e Jugut ka votuar të premten për një grevë pas dy muajsh bisedimesh me kompaninë mbi rritjen e pagave, si dhe zgjatjen e moshës së pensionit, raportoi Reuters të dielën.

Kjo sindikatë, ndër më të mëdhatë në vend me rreth 44 mijë anëtarë, ka thënë se 88.93 për qind e anëtarëve të saj kanë miratuar aksionin e grevës nëse kompania nuk pranon kërkesat.

Greva do të shënonte aksionin e parë të tillë në pesë vjet në lidhje me negociatat e pagave në prodhuesin koreano-jugor të veturave dhe mund të pengojë shpërndarjen e disa automjeteve të njohura.

Sindikata po kërkon një rritje minimale të pagës bazë mujore prej 139 dollarë dhe një pagë për performancën e barabartë me 30% të fitimit neto të Hyundai për vitin 2022. Gjithashtu kërkon një rritje të moshës së pensionit në 64 nga 60. /koha