Punimet për vendosjen e stabilitetit në Siri mundësuan kthimin e rreth 500 mijë refugjatëve

Ministri i Punëve të Jashtme Mevlut Çavusoglu deklaroi se “Si rezultat i përpjekjeve për vendosjen e stabilitetit në Siri, rreth 500.000 sirianë janë kthyer në zonat e spastruara nga organizatat terroriste. Ne do të vazhdojmë të luftojmë kundër organizatës terroriste PKK/YPG që pengon kthimin e civilëve.”

Ministri i Jashtëm Mevlut Çavusoglu, i cili mori pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara (OKB) për Rishikimin e Migracionit, vuri në dukje se kur nuk trajtohen faktorët që shkaktojnë migracion si pabarazitë ekonomike dhe problemet e sigurisë, hasen në pasoja dhe se migrimi duhet të diskutohet me një qasje globale dhe të qëndrueshme.

“Prapësimi i emigrantëve nga ana e Greqisë në Egje dhe keqtrajtimi i tyre në kufi ka marrë jetën e shumë njerëzve. Është e trishtueshme të shohësh që edhe Frontex-i është përfshirë në këto veprime”, deklaroi Çavusoglu.

Duke kujtuar se Turqia është duke pritur numrin më të madh të refugjatëve në botë që nga viti 2014, ministri Çavusoglu tha se me fillimin e luftës në Ukrainë (24 shkurt), ajo pranoi 145 mijë refugjatë të tjerë.

Shefi i diplomacisë turke gjithashtu shtoi se Turqia merr pjesë aktive në të gjitha nismat për dinjitetin dhe mirëqenien e emigrantëve dhe mbështet Paktin Global për Migracionin.

Duke deklaruar se Turqia mbështet politikat efektive të migracionit, Çavusoglu tha se duhet të inkurajohet kthimi vullnetar, i sigurt dhe dinjitoz i emigrantëve.

Pasi bëri të ditur se puna e Turqisë në Siri është shembull, ministri i Jashtëm vijoi me këto fjalë: ” Si rezultat i përpjekjeve për vendosjen e stabilitetit në Siri, rreth 500.000 sirianë janë kthyer në zonat e spastruara nga organizatat terroriste. Ne do të vazhdojmë të luftojmë kundër organizatës terroriste PKK/YPG që pengon kthimin e civilëve. Ne do të vazhdojmë të ndërtojmë dhe përmirësojmë vendet për të qëndruar për të inkurajuar kthimet vullnetare. Deri më tani kemi përfunduar ndërtimin e më shumë se 57 mijë shtëpive dhe synojmë që deri në fund të këtij viti të arrijmë në 100 mijë. Ne po punojmë për një plan për kthimin e sigurt dhe vullnetar të 1 milion sirianëve. Turqia, Iraku, Jordania dhe Libani kanë iniciuar nismën e vendeve fqinje për kthimin e sirianëve.” /trt