Pushimet dhe argëtimi

Rejhan Neziri

O ju që keni besuar! Kini frikë dhe përkushtim ndaj All-llahut ashtu siç e meriton dhe mos vdisni ndryshe përveç se si muslimanë!”, (Alu Imran:102).

Vëllezër të nderuar!

Si muslimanë, jemi të obliguar që gjatë gjithë kohës të jemi të përkushtuar e të nënshtruar ndaj All-llahut xh. sh. dhe Fjalëve të Tij, sepse ato janë ligj e rregulla për jetën tonë, janë i vetmi sistem jete të cilit ne duhet t’i nënshtrohemi, sepse është i vetmi rend që premton dhe garanton qetësinë, mirëqenien dhe lumturinë si në këtë ashtu edhe në botën tjetër. Kjo dëgjueshmëri dhe përkulje duhet të vijë në shprehje edhe tani kur po afrohet koha e pushimeve, koha e kthimit në vendlindje e te gjiri më i gjerë familjar. Them në vendlindje, sepse ai është vendi ku për herë të parë i kemi çelë sytë në këtë botë dhe po e shohim se asnjë vend tjetër s’po na ngroh si duhet, se asnjë vend tjetër nuk na duket më i këndshëm si ai yni, se në asnjë vend tjetër s’po e gjejmë dot qetësinë dhe rehatinë shpirtërore për të cilën kemi nevojë aq shumë në këtë kohë të materializmit të tepruar. Them te gjiri më i gjerë familjar, sepse shumica prej nesh këtu në këtë vend po jetojmë vetëm me familjen më të ngushtë, pra vetëm me shoqen dhe fëmijët e pamartuar apo i kemi pranë edhe fëmijët e martuar, sepse kështu e lyp sistemi i këtij vendi ku nuk gjejmë dot ndonjë familje të madhe e të zgjeruar, porse vetëm familje të ngushtë e bërthamë, që është reflektim i një egoizmi dhe subjektivizmi të pamasë, ku nuk durohen dot anëtarët më të largët të familjes e të fisit, sepse mendojnë se po ua ngushtojnë rrethin e po ua zënë frymën të tjerët e të huajt.

Kudo që të shkojmë, kudo që të ndodhemi, duhet ta tregojmë vetveten se cilës fe, cilit sistem i takojmë. Nuk është përkushtim dhe bindje e plotë ndaj All-llahut xh. sh. dhe Fjalëve të Tij, në qoftë se pjesërisht apo vende-vende i respektojmë ato. Ndoshta është pakëz më lehtë ta jetosh Islamin në rrethin e ngushtë familjar, a si duket as këtë s’mund ta bëjmë, mirëpo atë duhet ta tregojmë edhe në momentin kur mendojmë se Islami pikërisht këtu nuk na përzihet shumë. Dikush mund të mendojë e të thotë: kjo fe e ky Islam po më përzihet edhe në mënyrën se si do t’i kaloj pushimet e si do të argëtohem, hë?! Po, gjithsesi. Islami përzihet edhe të vë rregulla edhe në këtë drejtim, sepse e dëshiron të mirën tënde e të familjes sate. Dëshiron që edhe në këto momente për ty pak ose aspak të rëndësishme të të orientojë e mos të të lërë të bredhësh e të humbësh e të mos përfitosh asgjë.

Pushimet dhe argëtimi janë pjesë e pandashme e jetës. Muslimani punëtor dhe i përkushtuar, ndjen nevojën që, për t’i realizuar detyrat dhe obligimet të cilat lypen prej tij, të jetë i gjallë, i freskët, i çlodhur e jo si i vdekur, i molisur e i këputur, sepse me këtë rast e humb efikasitetin dhe prodhueshmërinë. Ky njeri i lodhur e i këputur në këtë mënyrë, një ditë nuk do të ketë mundësi t’i shërbejë bile edhe vetvetes, e lëre më të tjerëve. Nga ky aspekt, Islami është për ruajtjen e baraspeshës midis punës dhe pushimit, në mënyrë që të mos teprohet asnjëra, as puna e as pushimi. Ashtu siç kërkohet prej nesh që punën e fitimin ta kemi të ndershëm e hallall, po kështu kërkohet që edhe pushimin dhe kohën e lirë e argëtimin t’i kalojmë me nder e hallall. Pikërisht për këtë Pejgamberi a. s. thotë:

“Shfrytëzoji pesë gjëra para se të të paraqiten pesë të tjera: Shfrytëzoje jetën para vdekjes, shëndetin para sëmundjes, kohën e lirë para se të zihesh me punë, rininë para pleqërisë dhe pasurinë para varfërisë”.

Po mirë, si t’i shfrytëzojmë këto gjëra? Si t’ua shohim hajrin? Si të tjerët? Si jomuslimanët e si jobesimtarët? Si popujt e pakulturuar e primitivë të Afrikës e të viseve të tjera të botës? A do ta kemi shfrytëzuar jetën nëse nuk e dimë përse jetojmë dhe si duhet ta shfrytëzojmë? A do ta kemi shfrytëzuar shëndetin në qoftë se nuk dimë si ta ruajmë e ku ta përdorim? E kemi ruajt apo e kemi shpërdoruar shëndetin me konsumimin e duhanit, të alkoolit, të drogës e të lëndëve të tjera? E kemi shfrytëzuar kohën e lirë në qoftë se atë e kalojmë pa kurrfarë kriteri e rendi, pa mos pasur kujdes për të tjerët, pa mos na prekur se duhet ose jo t’u ndihmojmë të tjerëve? Duhet ose jo t’i vizitojmë të tjerët? Duhet ose jo të lexojmë diçka? Duhet ose jo t’i kundrojmë bukuritë natyrore që i ka dhuruar All-llahu xh. sh. në masë të plotë? Duhet ose nuk duhet që gjatë kësaj kohe t’i pajtojmë e afrojmë dy veta apo dy familje të hidhëruara në mes vete për shkaqe të kësaj bote e jo për hir të All-llahut xh. sh.? Më pas, a e kemi shfrytëzuar rininë në qoftë se nuk e dimë përse All-llahu xh. sh. na ka dhënë këto faza të jetës sonë, pra fëmijërinë, rininë dhe pleqërinë? A do ta kemi shfrytëzuar rininë në qoftë se atë e harxhojmë vetëm në papunësi, në ahengje e argëtime të pakufishme, në drogë e prostitucion? A do të mund të gjallërojë një shoqëri me rini të sëmurë e të lodhur nga pagjumësia, nga droga e të ligat e tjera? Pastaj, a do ta kemi shfrytëzuar pasurinë, në qoftë se nuk e dimë se të kujt jemi edhe ne edhe pasuria jonë? Në qoftë se nuk na lodh shumë fakti se si e fitojmë e si e harxhojmë atë? Sigurisht që përgjigjja për të gjitha këto pyetje do të jetë: jo, jo dhe jo. Jo në qoftë se ia duam të mirën vetvetes, familjes dhe jetës sonë islame.

Prandaj, pushimet verore dhe kohën e lirë ta shfrytëzojmë për t’u çlodhur e për të fituar gjallëri për punë e prodhim e jo për t’u lodhur akoma më tepër! Ta shfrytëzojmë për të mësuar diçka të re e të panjohur e jo për t’i harruar edhe ato që i kemi ditur duke vrapuar pas qejfeve të dunjasë! T’i vizitojmë të afërmit dhe farefisin tonë, t’i pajtojmë e t’i afrojmë ata! Të njoftohemi me njerëz të rinj e me gjenerata të reja sepse ata janë tanët e jo të huajt!

Me një fjalë, kohën e lirë të mos e bëjmë qëllim në vete por si një rrugë për të arritur diçka më të mirë e më të lartë, si një rrugë për ta forcuar vetveten, për ta përsos moralin, për t’u stërvitur në burrëri e seriozitet, për të hapur horizonte të reja pune e diturie dhe kurrsesi të mos ndodhë e kundërta. Sepse muslimanit edhe koha e lirë dhe argëtimi që i kalon brenda suazave dhe kufijve të Islamit do t’i quhet e llogaritet ibadet, adhurim dhe sevab.

All-lahu na ruajttë prej të gjitha të ligave të kësaj bote e na mbarësoftë në rrugën e drejtë të Tij!

Nga: Rejhan Neziri