Putin jep dritën e gjelbër për misionin e OKB-së në impiantin e Zaporizhias

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se zyrtarëve të OKB-së do t’u jepet leje të inspektojnë impiantin bërthamor në Zaporizhia.

Kremlini e bëri njoftimin pas një bisede telefonike mes Putin dhe homologut francez Emmanuel Macron.

Vetë presidenti ukrainas vlerësoi angazhimin e një ekipi të OKB-së.

“Diplomatët ukrainas, partnerët tanë dhe përfaqësues të OKB-së po punojnë për detajet specifike për misionin që do të dërgohet në Zaporizhia. Në këtë mënyrë, siguria në impiant mund të rivendoset. Ndaj i jam mirënjohës kujtdo që iu bashkua kësaj nisme. Nëse shantazhi rus me kërcënimin atomik vazhdon, kjo verë do të hyjë në historinë e Evropës si një nga më tragjiket e të gjitha kohërave”, u shpreh Zelenksi.

Gjatë një vizite në portin e Odesës, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres përsëriti thirrjen për demilitarizimin e centralit bërthamor, që ndodhet nën kontrollin e rusëve, nga frika se mund të ndodhë një katastrofë.

“Sekretariati i OKB ka kapacitetet, logjistikën dhe sigurinë e duhur për të mbështetur misionin dhe për t’u zhvendosur nga Kievi në Zaporizhia”, u shpreh Antonio Guterres, Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së.

Ndërkohë, për herë të parë Shtetet e Bashkuara deklaruan të premten se do të pajisin Ukrainën me dronët mbikëqyrës “Scan Eagle”, automjete rezistente ndaj minave, autoblinda dhe armatime të tjera, me qëllim rimarrjen e territorit të humbur. /euronews