Putin: Të mos lihen mënjanë çështjet për zgjidhjen e problemit të Palestinës

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin tha se paqja e përhershme në rajon nuk është e mundur pa u zgjidhur problemi Izrael-Palestinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Putin, nëpërmjet video-konferencës zhvilloi një takim me drejtuesit e agjencive botërore të lajmeve në kuadër të Forumit Ekonomik Ndërkombëtar në St. Petersburg. Në takim Putin iu përgjigj pyetjes së Zëvendës drejtorit të përgjithshëm dhe kryeredaktorit të Anadolu Agency, Yusuf Özhan, se çfarë kontributi mund të sigurojë Rusia për problemin mes Palestinës dhe Izraelit.

Lidhur me pyetjen e Özhan se “Muajin e kaluar jemi dëshmitarë se dhuna kundër civilëve palestinezë u rrit ndjeshëm. Çfarë kontributi diplomatik mund të sigurojë për konfliktet mes Palestinës dhe Izraelit, Rusia e cila ka popullsi të konsiderueshme muslimane dhe marrëdhënie të forta me Izraelin?”, presidenti Putin u përgjigj se “Rusia ka marrëdhënie shumë të mira dhe miqësore me Izraelin dhe Palestinën”.

Putin tha se ata mirëpresin normalizimin e marrëdhënieve në rajon mes vendeve të ndryshme dhe veçanërisht mes vendeve arabe dhe Izraelit. “Rivendosja e marrëdhënieve është në interesin e këtyre vendeve dhe popujve”, tha ai.

Presidenti rus shtoi se për të diskutuar të gjitha këto çështje aktuale është e nevojshme të formohet një platformë shumëpalëshe për një bashkëpunim shumëpalësh. “Ka disa çështje për të cilat komuniteti ndërkombëtar duhet të tregojë interes të veçantë. Aktualisht jemi dëshmitarë se në rajon nuk është e mundur të sigurohet në paqe e përhershme pa zgjidhur problemin Izrael-Palestinë”, tha Putin.

Ai tha se një element i rëndësishëm është edhe kapërcimi i dallimeve brenda Palestinës. “Bëhet fjalë për çështjen e vendbanimeve izraelite, por ka edhe çështje të tjera të akumuluara. Për të gjitha këto nevojitet një punë e kujdesshme. Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e çështjes dhe rëndësinë e saj për të gjithë botën, është e rëndësishme të mos lihen në prapa sfond ose të lihen mënjanë çështjet për zgjidhjen e problemit të Palestinës”, vlerëson Putin.

Putin tha se shpreson që problemet aktuale të zgjidhen në aspektin e interesave të të dy popujve që jetojnë në atë rajon.

“Shpresojmë që problemet themelore të zgjidhjen me dy shtete, gjegjësisht krijimin e shtetit të Palestinës dhe shtetit të Izraelit të zgjidhen në aspektin e interesave të të dy popujve, kombeve që jetojnë në këto territore.

“Kjo zgjidhje duhet marrë parasysh edhe në perspektivën afatgjate. Është shumë e rëndësishme që ajo të mos drejtohet nga interesat aktuale afatshkurtër. Ajo që duhet të bëjmë është të mbajmë në mendje një paqe të përhershme dhe afatgjate. Duke u nisur nga biseda e shkurtër që kemi zhvilluar nuk mendoj se mund të gjendet ndonjë recetë për të zgjidhur këtë problem të vjetër, por Rusia bashkë me pjesëmarrësit e tjerë do të vazhdojë të kontribuojë për zgjidhjen e problemit Palestinë-Izrael”, potencoi Putin. /aa