Putin urdhëron dërgimin e thirrjeve për rekrutim edhe në formë elektronike

Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka nënshkruar një projektligj që u mundëson autoriteteve t’iu dërgojnë rekrutëve dhe rezervistëve, thirrje në mënyrë elektronike, duke rritur shqetësimet për valë të re mobilizimi për luftën në Ukrainë.

Deri më tani, ushtria ka mundur të dërgojë thirrje vetëm në formë fizike, për ata që kërkohen të shërbejnë në ushtri.

Mirëpo sipas ligjit të ri, njoftimet e lëshuara nga zyrat lokale të ushtrisë, do të konsiderohen valide prej momentit kur të figurojnë në portalin shtetëror për shërbime elektronike.

Në të kaluarën, shumë rusë janë fshehur për t’i ikur pranimit të ftesës në formë fizike.

Mirëpo, ligji i ri mbush edhe atë zbrazëtirë ligjore, teksa ushtria ruse bëhet gati për atë që pritet të jetë një kundërofensivë ukrainase në javët në vijim.

Rekrutët që dështojnë të paraqiten në ushtri, nuk do të mund të largohen nga Rusia, do t’iu pezullohet leja e vozitjes, dhe do t’iu ndalohet shitja e apartamenteve apo aseteve tjera.

Kritikët e Kremlinit, dhe aktivistë për të drejta të njeriut, e kanë kritikuar këtë ligj të ri, duke e cilësuar si “burg digjital”, që u jep autoriteteve fuqi të pashembullta.

Ndonëse janë përmendur shqetësimet për mobilizim të ri, përveç atij të shpallur vjeshtën e kaluar nga Putinit, Kremlini ka hedhur poshtë diçka të tillë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë këtë javë se vendimi është marrë për të përditësuar sistemin e vjetërsuar.

“Është krijuar rrëmujë e madhe në zyrat e rekrutimit”, ka thënë ai.

“Qëllimi i ligjit të ri është shmangia e rrëmujës dhe modernizimi i sistemit, duke e bërë më efektiv për qytetarët”.

Në shtator të vitit të kaluar, Putin ka urdhëruar mobilizimin e 300.000 rezervistëve.

Ky mobilizim ka rezultuar me ikje të madhe të burrave rusë nga shteti.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /rel