“Putini nuk është Rusi”, protestë e rusëve, ukrainasve, bjellorusëve dhe serbëve në Beograd

Një grup qytetarësh joformalë “Rusë, ukrainas, bjellorusë dhe serbë së bashku kundër luftës” mbajtën sot një aksion proteste “Rusët kundër luftës – Për pavarësinë nga Putinizmi dhe diktatura e Kremlinit”, nga ku thanë se “Putini nuk është Rusi” dhe u kërkua lirimi i të burgosurve politikë në Rusi, raporton Anadolu Agency (AA).

Aksioni u mbajt në qendër të qytetit në Terazije të Beogradit, në afërsi të hotelit “Moskva” ndërsa të tubuarit mbanin pankarta me mbishkrimet “Ndal luftës në Ukrainë” dhe “Rusët kundër luftës”, dhe me flamuj të Serbisë dhe Ukrainës brohorisnin “Lavdi Ukrainës” dhe “Putini nuk është Rusi”.

Përfaqësuesi i grupit joformal, Peter Nikitin tha se qeveria në Rusi ka uzurpuar lirinë e medias, të gjithë ekonominë, zgjedhjet në të gjitha nivelet dhe ka nisur një “luftë të përgjakshme vëllavrasëse kundër Ukrainës”.

Në emër të të tubuarve, ai dënoi luftën në Ukrainë dhe shprehu keqardhjen për dhjetëra mijëra viktima të luftës dhe për ata që u detyruan të linin shtëpitë e tyre.

Nikitin shtoi se sot është festa kombëtare e Rusisë, 12 qershori dhe shprehu dëshirën që viti i ardhshëm të shënohet në Rusi, por pa presidentin aktual Vladimir Putin. /aa