Qartësohen 120 deputetët e legjislaturës së dhjetë

Bazuar në rezultatet e përmbledhura nga votimi brenda Kosovës dhe ai në diasporë, LVV-ja ka siguruar 57 mandate në Kuvend, e pasuar nga Partia Demokratike, e cila ka siguruar 22 deputetë. E treta është LDK-ja që në legjislaturën e ardhshme do të ketë 15 mandate ndërsa AAK-ja gjashtë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) e ka përfunduar të premten numërimin e të gjitha votave nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, të cilat i ka fituar Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Përmbyllja e procesit të numërimit e ka qartësuar përbërjen e legjislaturës së dhjetë.

Bazuar në rezultatet e përmbledhura nga votimi brenda Kosovës dhe ai në diasporë, LVV-ja ka siguruar 57 mandate në Kuvend, pasi i ka marrë 51.11 për qind apo 486.994 vota.

Kryetari i saj, Albin Kurti, është personi më i votuar, duke i marrë në total 404.023 vota.

Parti e dytë ka dalë Partia Demokratike (PDK), e cila ka siguruar 22 deputetë duke i marrë në total 20.19 për qind të votave. E treta është Lidhja Demokratike (LDK) që në legjislaturën e ardhshme do të ketë 15 mandate, pas 13.23 për qind të votave të siguruara. E Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do t’i ketë 6 deputetë prej 5.50 për qind të votave të siguruara. Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, e afërt me Beogradin zyrtar, do të ketë nëntë nga dhjetë vendet e garantuara për komunitetin serb. Një deputet nga radhët e komunitetit serb do ta ketë Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit. Ndërkaq, të dhjetë vendet e tjera të garantuara për komunitetet pakicë joserbe janë shpërndarë në disa parti dhe koalicione. Në zgjedhjet e 28 dhjetorit kanë marrë pjesë 45 për qind e trupit votues.

VIDEO:

120 deputetët e zgjedhur të Kuvendit

Bazuar në rezultatet e publikuara në faqen e KQZ-së, nën siglat e partive parlamentare në legjislaturën e dhjetë do të zënë vend deputetë që kanë qenë edhe në atë të mëparshmen por edhe emra të rinj.

Mes atyre të LVV-së, në përbërjen e re të Kuvendit do të jenë Albin Kurti, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Hekuran Murati, Donika Gërvalla, Xhelal Sveçla, Hajrulla Çeku, Avni Dehari, Mimoza Kusari-Lila, Ejup Maqedonci, Shqipe Mehmeti-Selimi, Andin Hoti, Arben Vitia, Saranda Bogujevci, Edona Llalloshi, Alban Bajrami, Mefail Bajqinovci, Nezir Kraki, Armend Muja, Rufki Suma, Adriana Matoshi, Jeta Statovci, Ardian Gola, Haxhi Avdyli, Adelina Grainca, Blerim Gashi, Albena Reshitaj, Fatos Geci, Agim Bahtiri, Taulant Kelmendi, Artane Rizvanolli, Fitore Pacolli-Dalipi, Dimal Basha, Arbër Rexhaj, Labinotë Demi-Murtezi, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, Artan Abrashi, Arjeta Fejza, Hysen Durmishi, Arbërie Nagavci, Enver Haliti, Liza Gashi, Valon Ramadani, Adnan Rrustemi, Jeton Raka, Fatmire Kollçaku, Arsim Ademi, Drita Pajaziti, Rozeta Hajdari, Salih Zyba, Fitim Haziri, Fjolla Ujkani, Ilir Kërçeli, Sylejman Meholli, Vigan Qorrolli, Valon Hoti dhe Naim Bardiqi.

PDK-në do ta përfaqësojnë Bedri Hamza, Arian Tahiri, Përparim Gruda, Uran Ismaili, Sala Jashari, Vlora Çitaku, Enver Hoxhaj, Arben Mustafa, Nait Hasani, Rrahman Rama, Ganimete Musliu, Eman Rrahmani, Kujtim Gashi, Elmi Reçica, Artan Behrami, Xhavit Haliti, Besa Kabashi-Ramaj, Mërgim Lushtaku, Ferat Shala, Blerta Deliu-Kodra, Ariana Musliu-Shoshi dhe Arbënore Salihu.

Nga radhët e LDK-së, mandat e deputetëve do t’i mbajnë Lumir Abdixhiku, Hykmete Bajrami, Ukë Rugova, Avdullah Hoti, Doarsa Kica-Xhelili, Kujtim Shala, Anton Quni, Armend Zemaj, Lutfi Haziri, Jehona Lushaku-Sadriu, Janina Ymeri, Besian Mustafa, Adelina Thaqi-Meta, Fadil Hadërgjonaj dhe Ermal Sadiku.

E nga AAK-ja, deputetë të zgjedhur janë Ramush Haradinaj, Daut Haradinaj, Besnik Tahiri, Bekë Berisha, Time Kadijaj dhe Albana Bytyqi.

Nëntë nga dhjetë vendet e rezervuara për komunitetin serb do t’i mbajnë deputetët Sllavko Simiq, Igor Simiq, Lilana Stefanoviq, Millan Kostiq, Nemanja Bishevac, Zllatan Elek, Milana Nikoliq, Sërxhan Popoviq dhe Verica Çeraniq të Listës Serbe. Një ulëse do ta ketë edhe përfaqësuesi serb, Nenad Rashiq.

Kurse deputetë të tjerë nga komunitetet joserebe që kanë siguruar ulëse në Kuvend janë Fikrim Damka, Fatma Taqi, Rasim Demiri, Emilija Rexhepi, Elbert Krasniqi, Duda Balje, Veton Berisha, Artan Asllani, Adem Hoxha dhe Erxhan Galushi.

Kandidatët që mbeten jashtë Kuvendit si pasojë e kuotës gjinore

Kuota gjinore i ka lënë pa ulëse në Kuvend pesë burra, prej tyre dy janë kandidatë nga lista e PDK-së, një nga ajo e AAK, një nga Lista Serbe dhe një nga partia turke, KDTP.

Te PDK-ja, kuota gjinore i ka lënë jashtë Kuvendit deputetët Bekim Haxhiu e Hajdar Beqa. Në vend të tyre, vendet në Kuvend do t’i zënë Ariana Musliu-Shoshi dhe Arbënore Salihu.

Te AAK-ja, Albana Bytyqi ka hyrë në Kuvend ndonëse Agim Çeku, Burim Ramadani, Arbër Tolaj, Lahi Brahimaj dhe Pal Lekaj kanë vota më shumë se sa ajo. Albana Bytyqi në vend të Agim Çekut

Edhe te Lista Serbe, Verica Çeraniq, e ka siguruar ulësen me gjithë që ka marrë më pak vota se Branisllav Nikoliq. E te KDTP-ja, Fatma Taçi është zgjedhur në vend të deputetit Ergul Mazrek.

Te Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës asnjë deputete nuk ka hyrë në Kuvend me kuotë gjinore.

Kuota prej 30 për qind për përfaqësimin e grave në Parlament është vendosur për herë të parë nga UNMIK-u në vitin 2000, nëpërmjet një rregulloreje që kërkonte që të paktën 30 për qind e kandidatëve në listat zgjedhore të jenë gra. Kjo masë është aplikuar në zgjedhjet e pasluftës dhe është një prej mekanizmave fillestarë për të rritur pjesëmarrjen e grave në politikë në nivelet qendrore dhe lokale.

Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, i miratuar në vitin 2008, ka përfshirë gjithashtu përcaktimin e kuotës gjinore prej 30 për qind në listat zgjedhore, dhe e ka institucionalizuar këtë kuotë në sistemin zgjedhor të Kosovës. Më 2010, Ligji është përforcuar me amendamente që sqarojnë vendosjen e kuotës dhe mekanizmat e zbatimit, duke siguruar që të paktën 30 për qind e atyre që zgjidhen nga listat të jenë të gjinisë së nën-përfaqësuar, nëpërmjet riorganizimit të listave në rast të nevojës.