Qeveria lehtëson masat anti-COVID

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot propozimin e Ministrisë së Shëndetësisë për lehtësimin e masave anti-COVID.

Lehtësimi i masave është bërë i ditur përmes një konferencë të përbashkët për medie nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Gjatë konferencës për medie, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se masat e marra në këto dy javë kanë pasur sukses në ngadalësimin e rritjes së rasteve.

“Masat e dy javëve të fundit janë treguar mjaft të suksesshme”, tha Kurti.

Lidhur me vaksinimin masiv, Kurti theksoi se ftesës për vaksinim i janë përgjigjur një numër i madh i qytetarëve të Kosovës gjatë këtyre dy javëve.

“Që nga hyrja e masave në fuqi deri tani janë administruar rreth 40 mijë doza të vaksinës”, tha kryeministri.

Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi bëri të ditur se me vendimin e ri për masat anti-COVID hiqet obligimi i bartjes së maskës në ambiente të jashtme.

Kufizimi i lëvizjes është vendosur të jetë nga ora 00:00 deri në ora 05:00.

Po ashtu hyrja në Kosovë do të jetë me dy vaksina, apo me një nëse është nga Johanson, pa pasur nevojë për testin PCR, ndërkaq lejohet hyrja edhe me një vaksinë dhe test negativ PCR të bërë në 48-orët e fundit.

Po ashtu, lejohet të hyjnë në Kosovë personat që kanë kaluar COVID-19 në tre muajt e fundit.

Orari i punës së gastronomisë me lirim të masave është mundësuar të jetë deri në orën 23:00.

Ndalohet organizimi i festivaleve dhe hapja e klubeve të natës;

Bibliotekat, muzetë, teatrot e kinematë punojnë me vetëm 50 për qind të kapaciteteve;

Lejohet organizimi i garave sportive dhe stërvitjet.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi theksoi se kanë vendosur disa lehtësime, pa harruar ruajtjen e shëndetit.

“Do ta monitorojmë, do të takohemi për çdo javë. Të marrim veprimet duke reaguar me kohë. Zbatimi i masave dhe vaksinimi mbesin edhe më tej arma kundër pandemisë. Hyrja në Kosovë lejohet me certifikatën e vaksinimit për vaksinim të plotë me dy doza ose me një dozë të vaksinës Janssen, që nuk ka kalur më shumë se 12 muaj nga marrja e dozës së fundit. Certifikatën e vaksinimit me një dozë e shoqëruar me testin PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë”, tha ai.

Ai ka njoftuar se maska është e obliguar ne ambientet e mbyllura.