Qeveria në hall për t’i paguar veteranët

Buxheti i Kosovës për vitin e ardhshëm prej 2 miliardë eurosh, po shihet me shumë entuziazëm, nga krerët institucional.

Për kryeministrin Isa Mustafa, ky buxhet krijon rritje të zhvillimit ekonomik dhe siguron rritjen e investimeve kapitale për 50 përqind.

“Këtë vit kemi pas investime kapitale rreth 500 milionë euro, vitin e ardhshëm do të kemi 700 milionë, që është diku 46 % më shumë, që flet se orientimet tona buxhetore i kemi orientime zhvillimore, sepse dëshirojmë që të krijojmë mundësi të angazhimit të kapaciteteve të firmave tona, edhe rritje të mëtutjeshme ekonomike”, ishte shprehur kryeministri.

Buxhetin e vitit 2017, si të rëndësishëm e vlerëson edhe kryetari i Komisionit të Zhvillimit Ekonomik, Muhamet Mustafa.

Mustafa ka thënë për Indeksonline, se ky buxhet shënon ngritje nga tatimet, e taksat, që arrijnë mbi 1.7 miliard euro.

“Buxheti per vitin 2017, mund te konsiderohet i rendesishem se paku per tri arsye. E para per nga vellimi shenon nje ngritje qe bazohet ne rritjen e te ardhurave nga tatimet, taksat dhe te ardhurate tjera qe arrijne mbi 1, 7 miliarde dhe burme plotesuese rreth 300 milion Euro dhe kehstu arrin nje pjesemarrje nga ana e shpenzimeve rreth 30% e qe per nivelin e zhvillimit te Kosoves duket te jete adekuat”, ka deklaruar për Indeksonline, kryetari i komisionit të Zhvillimit Ekonomik, Muhamet Mustafa.

Mustafa ka thënë se me këtë buxhet do të bëhet një diversifikim i burimeve të financimit, ku do të shfrytëzohen më shumë grantet, huatë dhe paratë nga privatizimi.

Kujtojmë se me këtë buxhet, Qeveria është futur edhe në borxhe për projektet e saj. Vetëm për projektet kapitale, ku përfshihen rrugët, hekurudhat, ujërat e zeza, Qeveria ka vendosur të investoj gati mbi një miliardë euro në këta sektorë.

Mirëpo sfida më serioze, të cilës Qeveria vështirë t’ia gjej zgjidhjen është pagesa për 47 mijë veteranët.

Mustafa tregon për Indeksonline, se është e nevojshme të ndryshohet ligji për këtë çështje, derisa thotë se do të kërkoj mbështetjen e ministrive për këtë punë.