Bisedimet që zgjatën pesë orë përfunduan pa rezultate midis presidentit sirian, Ahmed al-Sharaa dhe Ferhat Abdi Sahin, kreut të grupit terrorist YPG që vepron nën ombrellën e SDF-së, raporton Anadolu.
Një burim qeveritar i tha Agjencisë Anadolu se të hënën nuk u arrit asnjë marrëveshje mbi zbatimin e mirëkuptimit të 10 marsit ose marrëveshjes së armëpushimit dhe integrimit të plotë.
“Pala e SDF-së nuk tregoi fleksibilitetin e nevojshëm në takim. Takime të reja do të mbahen në periudhën e ardhshme”, tha burimi.
Diskutimet u përqendruan kryesisht në statusin e provincës Al-Hasakah, e vendosur në kufirin irakian në verilindje të Sirisë, sipas një raporti të publikuar në llogarinë Telegram të rrjetit televiziv Al Jazeera.
Sahin këmbënguli që Al-Hasakah të mbetet nën kontrollin e grupit terrorist, ndërsa Al-Shara e kushtëzoi atë me hyrjen e forcave të sigurisë së brendshme në qytet dhe marrjen e institucioneve shtetërore.
Kur Sahin këmbënguli në kërkimin e kontrollit të plotë organizativ të qytetit, Al-Sharaa u përgjigj se operacionet do të vazhdojnë në atë rast.
Thuhet se Al-Sharaa e hodhi poshtë kërkesën e Sahinit për pesë ditë shtesë për konsultime dhe kërkoi një përgjigje përfundimtare deri në mesnatën e së hënës.
Një burim pranë qeverisë, duke folur për televizionin shtetëror të Sirisë, Al-Ikhbariya, konfirmoi gjithashtu se bisedimet përfunduan pa rezultate.
