Qeveria me tri qendra të vendimmarrjes

Katër dosje me pak faqe letre përbrenda barten prej duarve në duar. Katër burra me firmat e tyre e vulosin në ato letra të ardhmen e Qeverisë së re.

Vendi ku kryhet ky akt madhor është shtëpia private e një biznesmeni që fati i kishte qeshur të bëhej president shteti në një kohë e rrethanë më të hershme.

Tash, si nikoqir, para vetës ka tre burra që dikur kanë qenë komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ata e kanë humbur krenarinë dhe mezi presin ta shohin biznesmenin duke bërë hapin e parë. “Baci” nuk i zhgënjen, por e vë firmën.

I pari që vije pas tij është politikani që ka trashëguar udhëheqjen e partisë më të madhe në vend. Ai është i vetëdijshëm për atë që bën, por pranon që ta “nënshkruajë kapitullimin”.

I dyti lë anash gjithçka, vë përpara interesin për t’u bërë kryeministër dhe sa hap e mbyll sytë e kryen obligimin e tij.

Krejt në fund letrat bien në duar të “çelikta” të politikanit që para gjashtë vjetësh e kishte bërë publike votën kundër nikoqirit që të bëhej president.

Atëherë e kishte parë të rrezikshëm për vendin këtë njeri, e tash me dorën e tij e përmirëson “gabimin” dhe i jep garanci se do ta mbështes të bëhet sërish president sapo këtij të tashmit t’i përfundojë mandati.

Kjo tablo që për protagonistë ka BehgjetPacollin, KadriVeselin, Ramush Haradinajn e Fatmir Limajn është pasqyrim i një pjese të realitetit që e ka përcjell procesin e krijimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e qershorit 2017.

Tablot e tjera janë luajtur nëpër kafene, e për protagonist kanë sekserët dhe birin e inkriminuar të “Ghandit të Ballkanit”.

Por, tabloja që mund të jetë më e errëta, ajo nuk është zbardhur ende e tëra. E shumta që dihet për të është se në atë pjesë të lojës kanë qenë të angazhuar edhe akterët nga Beogradi.

RamushHaradinaj zor se mund të ketë pritur ndonjëherë më gjatë se në ditën që mori bekimin e shumicës në Kuvend për t’u bërë kryeministër për herë të dytë.

Orët mund t’i jenë dukur javë, për aq kohë sa nuk i ka parë në sallë të Kuvendit deputetët e Listës Serbe. Por, ata nuk e dëshpëruan. Pasi morën pëlqimin në Beograd nga Qeveria dhe presidenti serb, të gjithë pa përjashtim ngritën duart lartë për njeriun që nuk e duan.

Komandanti nuk buzëqeshi që u bë kryeministër me bekimin e tyre e të Serbisë, e jo edhe të shumicës shqiptare.

As nuk foli gjatë. Uroi që t’i prijë e mbara në punë. Ai njihet si njeri dinamik, por a mjafton vetëm kjo.

Kur po qeveriste në ato 100 ditët para se të shkonte në Hagë për t’u përballur me akuzën për krime lufte, presidenti i sotshëm e kishte shpotitur duke thënë: suksesi i një Qeverie nuk matet me vrapimin e kryeministrit.

Shefi i ri i Qeverisë që deri në momentet e fundit nuk e ka ditur se kë do ta ketë në kabinet, shpejt do t’i ulë rreth vetës së paku 20 ministra, por vetëm dy do t’i ketë të partisë së vet.

Katër të tjerë mund t’i monitorojë, por të drejtën për të vendosur për ta e ka BehgjetPacolli – ai që e ka marr përsipër për ta udhëhequr politikën e jashtme të shtetit.

Tre të tjerë nuk do ta njohin kurrë autoritetin e tij kushtetues, por për çdo vendim do të pyesin në Beograd.

Pesë ministrat që ia ka dërguar Kadri Veseli do të jenë të paprekshëm, pasi vijnë nga partia e madhe e koalicionit qeverisës. Prishja me ta është prishje e Qeverisë.

Autoritetin prej kryeministri, pos te dy anëtarët e AAK-së dhe ai mund ta ushtrojë vetëm të ministrat që vijnë nga partitë e komuniteteve pakicë joserbe.

As me rreptësi e as me butësi kryeministri i ri nuk do të arrijë ta bëjë shtetin me Ushtri. As me rreptësi e as me butësi nuk do të arrijë të ndryshoj vijën e kufirit me Malin e Zi, të demarkuar nga Komisioni shtetëror që drejtohej nga njeriu që ia ka përplasur hartat për fytyre.

As me rreptësi e as me butësi nuk do të mund ta integrojë pjesën veriore të shtetit. Nuk do të mundet sepse nga nesër nuk do ta ketë shumicën në Kuvend.

E para së gjithash nuk do të mundet sepse do ta drejtojë një qeveri me tri qendra të vendimmarrjes: një në Prishtinë, një në Hajvali e një në Beograd.

Por, meqë shansin e ka fituar, le ta dëshmojë të kundërtën!Nga Agron Halitaj.-/Mesazhi/