Qiraja në Austri, gjithnjë në rritje

Gjatë pesë viteve të fundit të jetuarit me qira në Austri është rritur deri në 12 %.

Vetëm midis viteve 2016 dhe 2020 çmimet e qirasë për metër katror, duke përfshirë edhe shpenzimet e banimit (Betribskosten) u rritën nga 7.40 në 8.30.

Sipas hulumtimit të fundit nga agjencia “Statistik Austria”, qiratë u rritën me 12.2%, derisa inflacioni ishte 7.3 në të njëjtën periudhë.

Krahasuar me vitin e kaluar kur qiraja mesatare në Austri ishte 8.3 euro për metër katrorë, në ndërtimet e reja të banesat private, ato u rritën në 10.8 euro për m2.

“Arsyeja kryesore e rritjes së qirave në vitet e fundit janë kërkesat e shumta për hapësirën e banimit”, tha të martën Drejtori i Përgjithshëm i “Statistik Austria”, Tobia Thomas, raporton vienna,at, përcjell albinfo.at.

Ai ka thënë se popullsia në Austri në dhjetë vjetët e fundit është rritur me rreth 560,000 njerëz.

Ndërkohë, gazeta tjetër austriake heute.at, tregon se në cilat lloje të banesave mund të banoni me çmimin më të lirë. Ajo shkruan se, më së liri mund të jetoni në banesat komunale (Gemeindewohnung). Vitin e kaluar banimi në këto banesa ishte 6.90 euro bruto(të përfshira edhe Betriebskosten). Pas tyre, vijojnë banesat e shoqërive aksionare (Genossenschaftswohnungen) çmimi i të cilave sillet 7.40 euro për m2 dhe pastaj për të vazhduar me banesa private ku qiratë për metër katrorë janë rreth 9.60 euro.

Për të banuar në Austri, landi më i lirë vitin e kaluar ishte Burgenland në të cilin mesatarja e qirasë ishte 6.40 euro për m2.

Në anën tjetër, qiratë më të shtrenjta për vitin e kaluar ishin në landet: Salzburg dhe Voralberg. Këtu qiraja ishte 9.90, gjegjësisht 9.60 euro.