Qytetarët po infektohen për të tretën herë me COVID-19, MSh-ja nuk ka të dhëna

Po vazhdon numri i rasteve të riinfektimeve me COVID-19 në vendin tonë. Edhe pse nuk dihet saktësish sa është ky numër në Ministrinë e Shëndetësisë kanë konfirmuar se ka raste të riinfektimit.

Mirëpo se a po ndodh një infektim i qytetarëve me koronavirus për herë të tretë në vendin tonë, nga MSH nuk e kanë sqaruar saktësisht.

Lajmi.net mëson se një person, emër i njohur për redaksinë, është infektuar për herë të tret më këtë virus. Ai në të tria tastet, në periudha të ndryshme, është konfirmuar pozitiv me COVID-19.

“Në herën e parë ai është njoftua nga IKSHPK përmes telefonit se ka rezultuar pozitiv me koronavirus. Ndërsa në dy herët e tjera, ai është konfirmuar pozitiv me COVID-19 në dy laboratore të ndryshme private”, ka thënë ky qytetar për lajmi.net.

Lajmi.net ka pyetur MSH-në se a ka raste të personave që janë infektuar për herë të tret me COVID-19.

Në përgjigjen e MSH-së thuhet se ka disa raste të riinfektimeve që janë evidentuar, duke mos saktësuar nëse bëhet fjalë për infektim për herë të tretë.

“Ka disa raste të riinfektimeve që i kanë evidentuar klinicistet”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media.

Po ashtu nga zyra për media e MSH-së kanë thënë secili rast që diagnostikohet me COVID-19 me PCR -test apo me Antigjen rapid test, futet në evidencat e IKSHPK-së.

“Secili qytetar që konfirmohet që është ri-infektuar me COVID-19, e deklaron në anamnezën e tij mjekësore ketë fakt. Secili rast që diagnostikohet me COVID-19 me PCR -test apo me Antigjen rapid test, futet në evidencat e IKSHPK-se dhe në përpunimin e të dhënave, mund të nxirren rastet e riinfektimeve me COVID”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media.

Sipas studimeve, shumica e njerëzve që kanë pasur COVID-19 janë mbrojtur nga ri-infektimi për të paktën gjashtë muaj.

Kujtojmë se derisa tashmë në botë kanë filluar të përhapen mutacione të reja të COVID-19, ndërsa janë shfaqen dyshime se riinfektimi i qytetarëve do të jetë edhe më i lehtë.

Ndërkohë, në Kosovë muaj me parë janë konfirmuar zyrtarisht tre raste pozitive me variantin e ri anglez të COVID-19.