Radev: Bullgaria kthen çështjen e integrimit Ballkanit Perëndimor në agjendën e BE-së

Bullgaria ka rikthyer në fokus të agjendës së BE-së çështjen e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor.

Bosnja dhe Hercegovina mund të vazhdojë të llogarisë në mbështetjen e Bullgarisë për pranimin në BE dhe zbatimin e reformave të nevojshme, tha të mërkurën presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev në një takim me Ministrin e Jashtëm boshnjak, Elmedin Konakoviç, i cili është në vizitë zyrtare në Sofje.

Radev e përgëzoi Bosnjën dhe Hercegovinën për statusin e kandidatit në BE që iu dha dhjetorin e kaluar, si dhe për politikën e jashtme konstruktive dhe aktive që ka ndjekur.

Kreu i shtetit shprehu gatishmërinë e Bullgarisë për thellimin e partneritetit në sektorin e sigurisë dhe mundësinë e trajnimit dhe edukimit ushtarak në kuadër të integrimit euroatlantik të Bosnjë-Hercegovinës dhe bashkëpunimit me NATO-n. Ministri Konakovic vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Ai e informoi presidentin Radev për ecurinë e vendit, hapat dhe reformat e ndërmarra në rrugën e integrimit evropian.

Rumen Radev dhe ministri Konakovic theksuan rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në arritjen e prosperitetit dhe sigurisë në sfondin e krizave globale dhe evropiane, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në Ballkan.

“Sa më shumë të ndërtojmë lidhjen tonë në çdo aspekt, aq më të përgatitura do të jenë vendet tona për sfidat me të cilat përballemi”, tha Radev.

Në këtë drejtim, presidenti theksoi politikën aktive të Bullgarisë në sektorin e energjisë për zhvillimin e ndërlidhjes me vendet fqinje dhe rritjen e pavarësisë energjetike të rajonit.

Në takim u diskutua edhe për perspektivat për thellimin e bashkëpunimit në ekonomi, në sektorin e investimeve, turizmit, arsimit. Ministri Konakoviq ftoi presidentin Rumen Radev që në një të ardhme të afërt të vizitojë Bosnje dhe Hercegovinën.