Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Rama: Buxheti i vitit 2023 sa dyfishi i 2013-s

Rama: Buxheti i vitit 2023 sa dyfishi i 2013-s

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Përmeti se buxheti i vitit 2023 është sa dyfishi i buxhetit të vitit 2013.

Në një bashkëbisedim me përfaqësues të operatorëve turistikë dhe agroturizmit të bashkisë së Përmetit, Rama tha se volumi i të ardhurave është vënë në dispozicion të familjeve në formën e mbështetjes.

“Si mund të dyfishojë buxhetin një shtet që ka shkuar më keq?! Është e pamundur. Ky buxhet është i pakrahasueshëm me buxhetin e vendosur për njerëzit drejtpërdrejt në vitin 2013, është më shumë se dyfishi, dhe kjo periudhë e kërkon këtë gjë”, tha Rama.

Kryeministri siguroi se qeveria do të jetë më shumë se kurrë pranë njerëzve në nevojë dhe njerëzve të punës, për ta përballur dimrin, që po quhet dimri më i vështirë i Europës që nga Lufta e Dytë Botërore, pasojë e inflacionit të luftës së Putinit kundër lirisë e demokracisë perëndimore.

“Mburoja financiare për çmimin e energjisë, rritja e qëndrueshme e pagave e pensioneve; rritja e mëtejshme e pagës minimale; rritja e ndihmës ekonomike dhe dyfishimi i saj për nënat me dy fëmijë, pas atyre me tre pranverën e kaluar; dyfishimi i ndihmës ekonomike për pensionistët e vetmuar; rritja e ndihmës financiare bashkë me mbështetjen për energjinë elektrike për personat me aftësi të kufizuara; rritja e financimit për naftën pa taksa për fermerët dhe prodhimin e grurit; mbështetja e re financiare për naftën në sektorin e peshkimit; financimi i transportit urban për mbajtjen në vend të çmimit të biletës… këto janë masa tanimë aktive në mbështetje të ekonomisë së familjeve shqiptare, të cilat do të pasohen nga bonusi i fundvitit për pensionistët, si edhe masat e reja mbështetëse për pagat e pensionet vitin e ardhshëm”, tha Rama. /atsh