Rama prezanton në Kuvendin e Shqipërisë programin e qeverisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë seancës së sotme plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ka prezantuar programin e qeverisë për katër vitet e ardhshme të mandatit qeverisës, ndërsa seanca është ndërprerë për të vazhduar në orët e pasdites, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë prezantimit të programit të qeverisë, Rama është ndalur në objektivat kryesore të mandatit katër vjeçar, ku ka theksuar se prioritet do të jetë hapja e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE, lufta kundër informalitetetit, bashkëpunimi me vendet fqinje, etj.

“Historia e integrimit evropian të Shqipërisë është historia jonë. Pa diskutim hapja e negociatave vitin e ardhshëm është ajo çfarë Shqipëria pret dhe meriton. Ne do të vazhdojmë ta dinamizojmë politikën tonë të jashtme, duke fuqizuar edhe dimensionin e diplomacisë ekonomike. Vazhdojmë të besojmë në devizën tonë zero probleme me fqinjët. Do të intensifikojmë përpjekjet për të zgjidhur përmes strukturës së dakorduar të dialogut problemet e mbartura, me të vetmin fqinj sot që kemi probleme, Greqinë”, theksoi Rama.

Duke uruar Ramush Haradinajn për zgjedhjen në postin e Kryeministrit të Kosovës, Rama u shpreh se “Uroj që bashkimin doganor Shqipëri-Kosovë, ta bëjmë fakt të kryer, duke i kthyer doganat e Shqipërisë në dogana dhe të Kosovës”.

Kryeministri i Shqipërisë, gjatë fjalës në Kuvend, tha se lufta kundër informalitetit do të hyjë në një fazë të re, duke shtuar se do të krijohet mundësia për 220 mijë vende punë më shumë.

“Një program i madh investimesh do të zbatohen gjatë këtij mandati, në infrastrukturën rrugore, shkollore dhe shëndetësore të vendit, ku do të ndikojnë për hapjen e vendeve të reja të punës dhe rritjen ekonomike. Të mos humbasim më kohë, por të ulemi së bashku për të bërë realitet votimin e emigranteve në zgjedhjet e vitit 2021”, tha Rama.

Në seancës e pasdites së sotme është planifikuar përgjigja për pyetjet e deputeteve rreth programit qeveritar. Nesër është planifikuar që Kuvendi i Shqipërisë të mbajë debatin parlamentar për programin dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, ku në fund do të votohet për qeverinë e re. Pas miratimit në Kuvend dhe pas betimit të kabinetit qeveritar në Presidencën e Shqipërisë ministrat e rinj do të marrin zyrtarisht detyrën.