Rama: Putin synon të gjunjëzojë botën

Kryeministri Edi Rama deklaroi se situata që po kalon vendi në aspektin ekonomik, nuk është e lehtë, ndikuar sipas tij, edhe për shkak të luftës në Ukrainë.

Nga Erseka, Rama u shpreh se presidenti rus, Vladimir Putin nuk synon aneksimin e territoreve ukrainase, por gjunjëzimin e botës ndaj Rusisë.

Sipas tij, kreu i Kremlinit po e përdor energjinë si armë.

“Duhet shumë rezistencë, sepse situata që po kalojmë nuk është një situatë e lehtë. Ju keni dëgjuar shpesh, çfarë është kjo luftë, luftë nuk ka, çfarë lidhje kemi ne me luftën, ne nuk kemi gaz. E vërteta është që lufta në Ukrainë është sebep, qëllimi madhor nuk është aneksimi i disa territoreve të Ukrainës nga Vladimir Putin dhe kasta e Kremlinit.

Qëllimi kryesor është gjunjëzimi i gjithë botës në perëndim të Rusisë. Ne jemi pjesë e kësaj bote në perëndim të Rusisë. Sot, për ta gjunjëzuar këtë botë në perëndim të Rusisë, Putin ka kthyer energjinë në armë kundër pPerëndimit, i cili në një masë shumë të madhe varet nga gazi rus”, theksoi ai. /euronews