Jeta jonë kalon mes angazhimeve, sprovave dhe dëshirave që shpesh na largojnë nga thelbi i ekzistencës sonë. Zemra ngurtësohet, shpirti lodhet, dhe njeriu rrezikon të harrojë pse jeton.
E pikërisht kur na kaplon kjo gjendje, vjen Ramazani, jo thjesht si një muaj në kalendar, por si një thirrje hyjnore për zgjim. Vjen për ta rikthyer zemrën te Krijuesi, për ta pastruar shpirtin nga pluhuri i dynjasë dhe për t’i dhënë jetës sonë drejtim dhe kuptim. Në këtë muaj, njeriu mëson se nuk jeton vetëm me bukë, por me lidhjen me Allahun; nuk forcohet vetëm me ushqim, por me besim; dhe nuk gjen qetësi në pasuri, por në afërsinë me Zotin e tij.
Pra, Ramazani nuk është vetëm një muaj agjërimi nga ushqimi dhe pija. Por, Ramazani vjen për t’i dhënë kuptim jetës sonë. Vjen për të na zgjuar nga pakujdesia, për të na pastruar zemrat dhe për të na rikthyer te qëllimi për të cilin jemi krijuar.
Këtë qëllim Allahu na e përmend në Kuran kur thotë:
“Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër, veçse që të Më adhurojnë.” (Edh-Dharijat: 56)
Pra, në mes përditshmërisë sonë, dynjasë dhe shqetësimeve, Ramazani vjen si një stacion ndalese. Na mëson se jeta nuk është vetëm për të ngrënë, për të fituar, për të garuar me të tjerët, por edhe për të adhuruar Allahun dhe për të ndërtuar ahiretin.
Prandaj, agjërimi na mëson se kur ne mund t’i kontrollojmë dëshirat tona. Kur ne mund të heqim dorë nga hallalli (ushqimi dhe pija) për hir të Allahut, atëherë edhe më e lehtë duhet të jetë të heqim dorë nga harami!
Ramazani erdhi të na mësojë durimin dhe moralin… Ai është një proces i thellë pastrimi dhe edukimi shpirtëror… ashtu siç tha Pejgamberi a.s.: “Kush nuk e lë fjalën e rreme dhe veprimin sipas saj, Allahu nuk ka nevojë që ai të lë ushqimin dhe pijen.” (Buhariu)
Pra, Ramazani është edukim i gjuhës, i syrit, i zemrës e i dorës!
Është edukim i gjuhës; që të mos lëndojë, të mos përgojojë, të mos gënjejë.
Është edukim i syrit; që të mos shikojë atë që e prish zemrën.
Është edukim i zemrës; që të pastrohet nga smira, urrejtja dhe mendjemadhësia.
Është edukim i dorës; që të mos prek në hakun e tjetrit.
Andaj, Ramazani është një shkollë intensive e karakterit. Nëse gjatë këtij muaji nuk arrijmë të zbusim egon tonë, të përmirësojmë sjelljen, të forcojmë lidhjen me Zotin dhe me njerëzit, atëherë kemi humbur thelbin e tij.
Gjithashtu, Ramazani erdhi edhe si mundësi falje dhe fillim i ri për besimtarin… Është një derë e hapur që Allahu e vendos para nesh çdo vit…
Pejgamberi a.s., ka thënë: “Kush agjëron Ramazanin me besim dhe duke shpresuar shpërblimin, i falen mëkatet e kaluara.” (Buhariu dhe Muslimi)
A ka dhuratë më të madhe se kjo? Të ndjesh se Zoti yt po të thërret për të të afruar, për të të falur… Ramazani na mëson se dera e pendimit nuk është e mbyllur, dhe se mëshira e Allahut është më e madhe se çdo mëkat.
Ky pra, është një fillim i ri. Një faqe e pastër, për t’i jap kuptim jetës sonë:
Duke na lidhur me Allahun përmes namazit, Kuranit, lutjes dhe lotit të sinqertë në vetmi.
Duke na pastruar zemrat nga pesha e fajit.
Duke na disiplinuar shpirtin sepse mësojmë t’i themi “jo” dëshirave tona për hir të një qëllimi më të lartë.
Prandaj, një faqe e pastër për neve, nuk do të thotë se jemi bërë të përsosur, por se kemi vendosur të ecim në drejtimin e duhur. Dhe madhështia e Ramazanit qëndron pikërisht këtu: Ai nuk kërkon nga ne të jemi melaike, por të jemi njerëz që pendohen, që shpresojnë në mëshirën e Allahut dhe që përpiqen me vepra!








