Në diskursin modern fjala liri shpesh kuptohet si çlirimi i njeriut nga çdo kufizim dhe çdo rregull. Shpesh mendohet se njeriu është i lirë atëherë kur mund të bëjë gjithçka që dëshiron. Por në të vërtetë lind një pyetje thelbësore: a është i lirë ai që ndjek çdo dëshirë të vetën, apo ai që arrin t’i kontrollojë ato?
Ramazani na mëson një kuptim shumë më të thellë të lirisë. Në jetën e përditshme njeriu shpesh bëhet rob i impulseve të tij: i oreksit, i pasioneve, i zakoneve dhe i kënaqësive të menjëhershme. Ai mendon se është i lirë, por në realitet shpesh drejtohet nga instinktet e veta. Në këtë gjendje njeriu nuk sundon mbi vetveten, por sundohet prej saj.
Ramazani vjen si një shkollë e fuqishme e vetëkontrollit dhe e disiplinës shpirtërore. Agjërimi e vendos njeriun përballë vetvetes. Ai mund të hajë e të pijë nëse është vetëm dhe askush nuk e sheh, por ai zgjedh të mos e bëjë këtë për hir të Zotit. Në këtë moment vendimi nuk diktohet nga instinkti, por nga ndërgjegjja dhe vullneti.
Pikërisht këtu fillon liria e vërtetë: kur njeriu nuk sundohet nga dëshirat e tij, por arrin t’i sundojë ato.
Triumfi ndaj vetes është në të vërtetë fitorja më e madhe e njeriut. Në traditën islame përmenden disa forma të përpjekjes (xhihadit): përballja me armikun, përballja me shejtanin dhe përballja me egon e vet. Kjo e fundit është shpesh më e vështira, sepse armiku ndodhet brenda vetë njeriut. Ramazani e forcon pikërisht këtë dimension të përpjekjes, duke e stërvitur njeriun që të fitojë mbi egon e tij.
Dijetari i njohur Ibn Kajjimi thoshte:
“Liria e vërtetë është liria e zemrës; ndërsa robëria e vërtetë është robëria e zemrës.”
Nëse zemra bëhet rob i pasioneve, atëherë edhe nëse njeriu duket i lirë, ai në realitet është i robëruar. Por kur zemra lidhet me Zotin, ajo çlirohet nga çdo robëri tjetër.
Edhe Ibn Tejmije e shpreh këtë kuptim me një thënie shumë domethënëse:
“Çfarë mund të më bëjnë armiqtë e mi? Parajsa ime është në zemrën time.”
Ai donte të tregonte se njeriu që ka arritur lirinë shpirtërore nuk mund të robërohet nga asgjë jashtë tij.
Në këtë kuptim qëndron edhe paradoksi i bukur i besimit: njeriu e realizon lirinë e tij duke qenë rob i Zotit. Kur ai i nënshtrohet Krijuesit, ai çlirohet nga robëria ndaj çdo gjëje tjetër: ndaj njerëzve, ndaj pasurisë, ndaj pasioneve dhe ndaj materializmit.
Kur’ani e përshkruan agjërimin si një mjet për arritjen e devotshmërisë:
“O ju që besuat! Ju është bërë obligim agjërimi, ashtu siç u ishte bërë obligim atyre para jush, që të arrini devotshmërinë.”
Kjo devotshmëri është pikërisht vetëdija e vazhdueshme për Zotin, e cila e ndihmon njeriun të mos bëhet rob i epsheve dhe dëshirave të tij.
Prandaj Ramazani nuk është vetëm një periudhë abstinence nga ushqimi dhe pijet. Ai është një proces çlirimi. Është koha kur njeriu mëson të sundojë vetveten, të menaxhojë dëshirat e tij dhe të rikthejë kontrollin mbi jetën e vet.
Në këtë mënyrë, përmes agjërimit dhe adhurimit, njeriu nuk e humb lirinë – përkundrazi, ai e zbulon dhe e realizon atë në formën e saj më të pastër.
Hoxhë Korab Hajraj








