Raport: Ndihma ushtarake evropiane për Ukrainën nuk arrin të kompensojë mbështetjen e ndërprerë të SHBA-së

Mbështetja ushtarake e Evropës për Ukrainën është zvogëluar ndjeshëm në muajt e fundit, duke ngritur shqetësime se kontinenti nuk mund të kompensojë ndërprerjen e ndihmës amerikane, sipas një raporti të publikuar të martën nga Instituti Kiel, transmeton Anadolu.

Shtetet evropiane kanë alokuar vetëm 4,2 miliardë euro në ndihmë të re ushtarake për Ukrainën deri në tetor 2025, shumë më pak se sa do të nevojitej për të zëvendësuar mbështetjen amerikane të munguar, ka gjetur “Ukraine Support Tracker” pranë institutit.

“Bazuar në të dhënat deri në tetor, Evropa nuk ka arritur të ruajë ritmin e gjysmës së parë të vitit 2025”, ka thënë Christoph Trebesch, kreu i “Ukraine Support Tracker”. “Ngadalësimi i fundit e bën të vështirë për Evropën që të kompensojë plotësisht mungesën e ndihmës ushtarake amerikane në vitin 2025”, ka shtuar ai.

Me ritmin aktual, ndihmat totale ushtarake për vitin 2025 mund të arrijnë nivelin më të ulët që nga fillimi i luftës Rusia-Ukrainë në vitin 2022. Ndërsa mesatarisht ndihmat vjetore ishin rreth 41,6 miliardë euro nga 2022 deri në 2024, deri tani në vitin 2025 janë alokuar vetëm 32,5 miliardë euro.

Mes ekonomive kryesore evropiane, Franca, Gjermania dhe Britania kanë rritur ndjeshëm alokimet e tyre ushtarake krahasuar me periudhën 2022-2024. Gjermania pothuajse ka trefishuar mesataren mujore të alokimeve, ndërsa Franca dhe Britania e kanë dyfishuar atë.

Megjithatë, këto rritje mbetën shumë nën nivelet e mbështetjes së vendeve nordike në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Danimarka, Finlanda, Norvegjia dhe Suedia kanë vazhduar të udhëheqin në Evropë për ndihmën proporcionale ushtarake ndaj Ukrainës, ndërsa Italia dhe Spanja kanë kontribuuar pak.