Raportimet për planifikim atentati ndaj zyrtarëve të tjerë LDK-së, policia rastin e inicion si kanosje

Mediat gjatë së mërkurës kanë raportuar se është planifikuar një atentat ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abduixhikut dhe disa zyrtarëve tjerë të LDK-së, shkruan teve1.info.

Sipas raportimeve, shërbimet partnere veçse kishin identifikuar grupin që po planifikonte atentat dhe organet e LDK-së kishin njoftuar rastin në polici.

Policia ka thënë për teve1.info se rasti është iniciuar si kanosje.

“Policia e Kosovës, në këtë rast drejtoria kompetente e PK-së, ka ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme policore lidhur me rastin/kanosjen në fjalë. Të gjitha veprimet e mëtejme policore do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, ka thënë për teve1.info Bajram Krasniqi, zëdhënës në Policinë e Kosovës.

Teve1.info ka provuar të kontaktojë edhe me Zyrën për Informim dhe deputetët e LDK-së, por të njëjtit nuk u janë përgjigjur pyetjeve rreth raportimeve për planifikim atentati ndaj zyrtarëve të LDK-së.