Grupi deklaron se nuk ka progres pa heqjen e bllokadës, ndërsa shkeljet e armëpushimit vijojnë
Nuk mund të ketë asnjë marrëveshje të ardhshme për Gazën dhe popullin e saj derisa Izraeli të ndalojë sulmet, të heqë bllokadën dhe të garantojë të drejtën e popullit për vetëvendosje. Kështu deklaroi Hamasi pas takimit inaugurues të Bordit të Paqes të enjten.
Grupi vuri në dukje shkeljet e vazhdueshme të armëpushimit të tetorit nga ana e Izraelit, të cilat deri më tani kanë shkaktuar të paktën 600 viktima. Hamasi u bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare, ndërmjetësve dhe anëtarëve të Bordit të Paqes që ta detyrojnë Izraelin të “ndërpresë sulmet, të lejojë hyrjen e ndihmave në Gaza dhe të nisë menjëherë rindërtimin”.
“Çdo përpjekje e vërtetë ndërkombëtare për të arritur stabilitet në Gaza duhet të bazohet në trajtimin e shkakut rrënjësor të problemit – pushtimin – dhe në fundin e politikave të tij”- thuhet në deklaratën e grupit.
Gjatë takimit të Bordit të Paqes, delegatët mësuan se disa vende kanë mbledhur mbi 17 miliardë dollarë fonde ndihme për Gazën. Një video e shfaqur në aktivitet, bëri të ditur se rindërtimi do të përqendrohet fillimisht në qytetin jugor të Rafahut, me synimin për ta rindërtuar plotësisht brenda tre vitesh.
Sipas projektit të paraqitur, brenda 10 vitesh Gaza do të jetë e vetëqeverisur dhe e integruar në rajon, me “industri të lulëzuara dhe strehim për të gjithë”. Megjithatë, materiali nuk sqaronte fatin e palestinezëve gjatë periudhës tranzitore.
Nëntë nga dhjetë persona në Gaza janë zhvendosur më shumë se një herë. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë në enklavë, Izraeli ka vrarë dhe plagosur qindra mijëra njerëz që nga fillimi i luftës më 7 tetor 2023.
Një raport në revistën The Lancet vlerëson se numri i vërtetë i viktimave është dukshëm më i lartë, si pasojë e drejtpërdrejtë dhe e tërthortë e sulmeve izraelite, të cilat kanë shkatërruar spitalet, shtëpitë dhe 80 për qind të infrastrukturës dhe shërbimeve bazë.
Krijimi i Bordit të Paqes u miratua përmes një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si pjesë e planit prej 20 pikash të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës mes Izraelit dhe Hamasit, plan për të cilin të dyja palët kishin rënë dakord.
Deri më tani, Izraeli nuk ka arritur t’i përmbahet marrëveshjes, e cila parashikon rihapjen e pikës kufitare të Rafahut dhe ndërprerjen e të gjitha armiqësive. Nga ana tjetër, Izraeli ka akuzuar vazhdimisht Hamasin për shkelje të armëpushimit.
Madje po i përdor këto pretendime si arsye për të refuzuar lëvizjen e lirë të palestinezëve. Javën e kaluar, Izraeli paralajmëroi se Hamasi ka një afat prej 60 ditësh për t’u çarmatosur, në të kundërt trupat izraelite do të “përfundojnë misionin”. Yossi Fuchs, Sekretari i Kabinetit Izraelit dhe këshilltar i Kryeministrit Benjamin Netanyahu, deklaroi se ky afat mund të fillojë të llogaritet menjëherë pas takimit të parë të Bordit të Paqes.
Ndonëse kushtet e fazës së parë nuk janë respektuar plotësisht, i dërguari special i SHBA-së, Steve ëitkoff, njoftoi në janar nisjen e fazës së dytë. Kjo fazë synon çarmatimin e Hamasit, tërheqjen e mëtejshme të forcave izraelite dhe hyrjen e një komiteti teknokratik palestinez të sanksionuar nga OKB-ja për të administruar enklavën, shoqëruar nga një forcë ndërkombëtare stabilizimi.
Por deri më tani, Izraeli i ka mohuar këtij komiteti hyrjen në Gaza. Ndërkohë nga sulmet e Izraelit pas firmosjes së armëpushimit, në Gaza janë vrarë mbi 600 palestinezë. /teshesh





