Reali fiton sfidën ndaj Napolit

Një autogol i Alex Meretit ka vendosur ndeshjen dramatike mes Napolit dhe Real Madridit. Pas një goditje të fuqishme të Federico Valverdes, topi qëlloi traversën dhe nga shpina e Meretit përfundoi në rrjetë. Ishte minuta e 78-të dhe goli për 3:2 në të mirë të Madridit.

Me këtë rezultat përfundoi ndeshja e fazës grupore të Ligës së Kampionëve.

Napoli, që ishte pa Amir Rrahmanin, kaloi në epërsi në minutën e 19-të. Realizator ishte Leo Ostigard. Vinicius Junior shënoi për 1:1 në minutën e 27-të, me asistim të Jude Bellingham.

Anglezi vazhdoi shkëlqimin në minutën e 34-t kur realizoi për 2:1.

Napoli e nisi më mirë pjesën e dytë dhe barazoi në 2:2 në minutën e 54-t. Piotr Zielinski ishte i saktë nga pika e bardhë.

Më pas madrilenët morën veten gradualisht dhe me fat shënuan golin e fitores së rëndësishme.

Për Realin është fitorja e dytë në grupin C. Udhëheq me gjashtë pikë, ndërsa nga tri i kanë Napoli e Braga. Pa pikë në këtë grup është Union Berlini.