Sezoni i hurmave ka trokitur tashmë dhe është koha të provojmë edhe reçelin e tyre.
Nëse ka një shije që nuk mund t’i rezistosh dot, ai është reçeli i hurmës. Vërtet shumë pak i dëgjuar por një mrekulli me shije e pazakontë kur gatuhet në një recetë unike reçeli.
Hurmat mund të shijohen në formën e tyre të plotë, por kur bëhen reçel përballesh një ëmbëlsi befasuese krejt ndryshe nga të tjerat.
Reçeli i hurmës është ekzotik dhe i shijshëm saqë është kthyer në një traditë të mirëfilltë për amvisat shqiptare.
Hurma është një frut bujar dhe i pasur në vlera. Ajo përmban shumë antioksidantë, ndihmon në rënien në peshë, përmban shumë fibër, mban nën fre dëshirën e tepruar për të ëmbla, mbron sytë dhe sistemin tretës.
Si të përgatisim reçelin e hurmave
Përbërësit
- 1.5 kilogramë hurma të pjekura ( jo të qullëta)
- 1 kilogramë sheqer
- 1 limon i ndarë në gjysmë
Ndiqni me përpikmëri udhëzimet
- Qëroni hurmat nga lëkura dhe pritini në feta. Merrni një tenxhere dhe përzieni sheqerin me fetat e hurmave.
- Shtrydhni lëngun e një limoni dhe shtojeni tek hurmat e sheqeri në tenxhere.
- Përziejini të gjitha mirë dhe më pas mbulojeni enën. Lërini hurmat të marinohen për disa orë.
- Më pas, merrni tenxheren ku janë marinuar hurmat dhe vendoseni në zjarr.
- Pasi masa të ketë marrë valë, lereni të ziejë për 15 minuta duke e përzierë vazhdimisht me një lugë druri.
- Tregoni kujdes pasi duhet ruajtur forma e fetave të hurmës.
- Kur reçeli të jetë bërë do të ngjitet në mënyrë të njëtrajtshme në lugë.
- Reçeli do të trashet gjatë ftohjes. Mos harroni të hiqni prej tij copat e limonit.
- Mbushni kavanozët dhe sigurohuni të lini pak hapësirë bosh nga gryka e kavanozit. Pastroni grykën e kavanozit përpara se ta mbyllini fort me kapak.
- Më pas, vendosini kavanozët në ujë dhe ziejeni për 10 minuta.
- Kështu do të largohet ajri i tepërt dhe reçeli mund të ruhet për më gjatë. Më pas hiqini nga uji dhe vendosini në banak të ftohen.
- Nëse hapet njëri prej kavanozëve, reçeli duhet ruajtur në frigorifer dhe duhet konsumuar brenda dy javësh.







