Regjimi i Asadit vazhdon përdorimin e bombave fuçi

Rrjeti Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR) ka njoftuar se regjimi i Bashar Al Asadit në sulmet që i ka kryer në muajin e kaluar ndaj vendbanimeve civile në rajonet e ndryshme të Sirisë ka përdorur të paktën 67 herë bombat fuçi, transmeton Anadolu Agency (AA).

SNHR publikoi raportin në lidhje me bombat fuçi të përdorura nga regjimi gjatë muajit gusht ndaj vendbanimeve civile që gjenden nën kontrollin e opozitarëve. Në raport theksohet se në sulmet gjatë gushtit kanë humbur jetën 7 civilë, nga të cilët 2 fëmijë dhe një grua.

Forcat e regjimit muajin e kaluar në Idlib kanë kryer 53 sulme me bomba fuçi, ndërsa në Dera 8 dhe Hama 6 herë.

Ndërkohë numri i bombave fuçi të përdorura në periudhën janar-gusht është 3.503.

– Kostoja e ulët, efekti i madh

Regjimi preferon bombat fuçi për shkak të kostos së ulët (rreth 50 dollarë) por efektit të madh shkatërrues.

Me këtë lloj bombash regjimi në masë të madhe ka shënjestruar hapësirat civile, duke synuar numër sa më të madh të vdekjeve. Varësisht nga sasia e shpërthyesit me të cilin mbushen, bombat shkaktojnë shkatërrim në hapësirë 50-200 metra.

Mënyra e rënies së këtyre bombave përkufizohet sipas terminologjisë ushtarake si “parimi i rënies së lirë”, ndërsa me dëmet e shkaktuara në vendbanimet civile ato detyrojnë popullatën në migrim.