Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Reshjet e dendura të shiut përmbytin 850 shtëpi në veri të Francës

Reshjet e dendura të shiut përmbytin 850 shtëpi në veri të Francës

Reshjet e dendura të shiut kanë përmbytur 850 shtëpi në departamentin Pas-de-Calais, në veri të Francës, njoftuan të shtunën autoritetet lokale, transmeton Anadolu.

Prefekti i Pas-de-Calais, Francois-Xavier Lauch, i tha transmetuesit publik Franceinfo se 85 rrugë vazhdojnë të jenë të mbyllura dhe se niveli i lumit Canche ka tejkaluar nivelet historike në disa pika.

Lauch tha se mund të evakuohen edhe banorë të tjerë dhe se ata që tashmë janë larguar nga banesat e tyre nuk do të mund të kthehen të shtunën.

Sipas prefekturës, rreth 800 persona janë evakuuar që nga 19 nëntori.

Agjencia kombëtare meteorologjike Meteo-France bëri të ditur se në Pas-de-Calais vazhdon të jetë në fuqi alarmi portokalli për përmbytje.

Operatori i shpërndarjes së energjisë elektrike Enedis tha se rreth 450 familje në Pas-de-Calais dhe departamentin fqinj Nord kanë mbetur pa energji elektrike për shkak të motit të keq.