35 vite uzurpim, molotovë mbi namaz dhe halucinacionet e një 82-vjeçari që kërkon t’i imponohet historisë
Kur koha ecën dhe personazhet mbeten, politika kthehet në një teatër grotesk. Mbrëmjen e të premtes, bulevardi kryesor i Tiranës nuk ishte dëshmitar i një kryengritjeje, por i një ceremonie mortore për vullnetin politik të një lideri që nuk e pranon vdekjen e ciklit të tij.
35 vite pas rrëzimit të bustit të diktatorit, Sali Berisha u shfaq si një relikt që tenton të bëjë zhurmë në një qytet që tashmë e ka harruar. Mbi 3 milionë shqiptarë jetojnë sot jashtë vendit, jo si turistë, por si të dëbuar nga mungesa e shpresës që ky njeri dhe shpura e tij mbollën për dekada.
Ky eksod është vula e dështimit të tij. Njerëzit ikën sepse “doktori” nuk ishte kura por vetë sëmundja. Mbrëmja e së premtes ekspozoi një 82-vjeçar që lufton me mullinjtë e erës. Me një dëshpërim patetik, ai sërish përdori si etalon Enver Hoxhën.
Një manovër e trashë, sepse vetëm duke u matur me tiranin më të zi të historisë së Shqipërisë, mund të duket disi më pak i keq. Ai kërkon që t’i imponohet ligjësive të historisë me një arrogancë që nuk njeh kufi, duke harruar se koha është i vetmi gjykatës që nuk blihet dhe nuk kërcënohet.
Një uzurpator i përjetshëm i PD-së, doktori po sillet si një “fisnik” i rënë nga vakti që kërkon të djegë kështjellën, vetëm sepse nuk e lejojnë ta sundojë më. Fjalimi i tij i djshëm ishte sërish një paradë haluçinacionesh klinike.
Të flasësh për “gaz luftarak” kur je rrethuar nga një grusht militantësh të lodhur, është humbje totale e sensit të realitetit. Por kulmi i diskreditimit moral, u arrit tek Xhamia e Namazgjasë. Hedhja e molotovëve aty pranë ndërsa besimtarët faleshin në ditën e dytë të muajin e shenjtë të Ramazanit, tregon se ky njeri nuk ka më asnjë shenjtëri, përveç vetvetes.
Kjo nuk është opozitë por një vandalizëm i pastër që nuk kursen as lutjen, as qetësinë shpirtërore të një populli të vrarë nga tranzicioni. Ironia është therrëse: njeriu që pretendon se po e shpëton Shqipërinë, është arsyeja pse Shqipëria kërkon të shpëtojë prej tij.
Ai flet për rrëzim bustesh, pa kuptuar se busti i tij moral, është thërrmuar tashmë në sytë e një populli që kërkon meritokraci dhe jo molotovë. Pamjet me dron, treguan një shesh të zbrazët, një vakum që nuk e mbushin dot as britmat e tij histerike.
Ky është i fundi i një epoke që po jep shpirt, i një hijeje që bërtet në shkretëtirë, i bindur se jehona e zërit të tij është ende pushtet. Lidershipi demokrat ngjan aktualisht me një kostum të grisur të vitit 1991 që kërkon të vishet në një ballo moderne.
Berisha vazhdon të riciklojë urrejtjen si karburant, por harron se shoqëria ka ndërruar motor. Shqiptarët e sotëm nuk duan liderë që premtojnë “zjarr”, por vizionarë që ofrojnë siguri. Duke u mbyllur në bunkerin e haluçinacioneve të veta, Berisha ka vulosur izolimin e tij përfundimtar.
Ai nuk po lufton kundër qeverisë, por kundër vetë rrjedhës së pashmangshme të kohës, një betejë që nuk mund ta fitojë asnjë molotov. Ky njeri ka mbetur peng i maktheve të tij.
Ai nuk mund të ofrojë asgjë përveç izolimit dhe konfliktit, sepse bota e tij mbaron aty ku fillon ligji. Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e saj duke e lënë pas, si një hije që tretet në errësirën e një të premteje, ku e vetmja gjë që u dogj ishte mbetja e fundit e dinjitetit të tij politik.
Historia e hëngri “birin” e saj jo me dhunë, por me indiferencë, duke e lënë të flasë me vete në një bulevard që nuk e dëgjon më, i braktisur nga një popull që nuk ka më kohë për të humbur me dramën e tij personale.
Sot, Berisha nuk po merr zvarrë opozitën apo sistemin politik. Ai thjesht po merr zvarrë veten e tij drejt një fundi që historia tashmë e ka shkruar me shkronja të vogla në fund të një faqeje të harruar. /tesheshi







