Rijad Imeri – Mehmet Kraja mos më fol në emër të Kosovës!

Ndryshimet e mëdha në Kosovë në dekadat e fundit na i ofruan këto pamje dhe gjendje të mjerueshme në të cilën jetojnë disa “ intelektual “ shqiptarë, të cilët përvojën dhe njohurit e tyre i përdorën për ta lëkundur shoqërinë sipas furtunave politike dhe ideologjike, e së fundmi duke u fokusuar në rrënjët e kësaj shoqërie. Kështu që nëse krahasohet njëra periudhë me tjetrën na del jo një numër “ dhelprash “ por një “ sistem dhelpëror “ i instaluar në fusha dhe instanca nga më të ndryshmet të cilët i bashkon një mision, çrrënjosja e fesë islame nga shoqëria shqiptare në emër të evropianizimit duke i shërbyer krishterimit!

Manifestimi i ideologjisë së tyre ka vazhduar me dekada të tëra në Kosovë duke ushtruar presion psikik e shpeshherë edhe atë fizik, duke shfaqur urrejtje ndaj muslimanëve shqiptarë në përgjithësi e në veçanti ndaj praktikuesve dhe udhëheqësve fetarë. Këta “ intelektual “ nuk zgjodhën formë e as metodë për ta sulmuar dhe manipuluar shoqërinë shqiptare, nuk lan gënjeshtër e as shpifje pa e përdorur për ta goditur këtë shoqëri të përvuajtur, vetëm e vetëm që t’i realizojnë synimet dhe qëllimet e tyre.
Do të mundohem t’i përmend disa sfera në të cilat shihet qartazi ndikimi i tyre:
1- Arsimi dhe edukimi: kjo fushë është një ndër çështjet më të ndjeshme të një shoqërie, për arsye se nëse arsimimi është i fuqishëm atëherë edhe shoqëria është e fuqishme dhe e kundërta. Por pasi Universiteti i Prishtinës u themelua në vitin 1969, një universitet relativisht i ri, para tij detyroheshin studentët shqiptarë të u drejtoheshin universiteteve më të lashta si ato evropiane apo edhe ato rajonale e sidomos universitetit të Beogradit. Ndeshja me ideologji antishqiptare dhe antiislame i bëri këta studentë, të cilët në të ardhmen do të zinin vende kyçe në shoqëri, të ngrihen kundër bindjeve dhe traditës së popullit të tyre. Ngase shfrenimi në të cilin ishin edukuar binte ndesh me bindjet dhe traditat e vendit të tyre, kështu që traditat filluan t’i ndryshojnë dalëngadalë, kurse u mbeti vetëm bindja fetare, zgjidhja e vetme e tyre ishte shfaqje e një lufte të ashpër e cila nuk do të ndalonte me gjenerata të tëra edhe nëse rezultat i saj ishte një luftë ndërfetare.
Në Arsim, lënda e letërsisë, historisë dhe biologjisë ishin si lëndët më të përshtatshme për ta shfaqur ideologjinë e tyre. Në letërsi i jepej prioritet më shumë biografisë dhe veprave të poetëve krishterë shumica e të cilëve ishin priftërinj dhe të cilët jo rrallë sulmonin besimin islam, kurse anashkaloheshin poetët muslimanë, sa që shumica e shkollave kosovare bartnin emrat e tyre.

Historia po ashtu ishte një lëndë tepër e favorshme për mbjelljen e kësaj ideologjie, ku figurat të cilat luftonin në emër të Vatikanit apo mbretërisë Austro-hungareze kundër Perandorisë Osmane konsideroheshin heronj, kurse ata të cilët kishin pranuar fenë islame apo ishin musliman konsideroheshin tradhtarë ( shembulli i Gjergj Kastriotit dhe i nipit të tij Hamzës ose shembulli i Avni Rrustemit dhe i Esat Toptanit ).

Gjithashtu paraqitja e fesë krishtere si pjesë e traditës shqiptare të cilën duhet medoemos ta ruajmë kurse feja islame si diçka e huaj të cilën duhet ta shkulim nga trojet tona njëherë e përgjithmonë tregon për cinizmin dhe dinakërinë e tyre.

Biologjija shërbente që të lëkunden nxënësit në besimin e tyre duke u mbështetur në teori shkencore asnjëherë të vërtetuara, por e cila i shërbente ideologjisë së tyre, me të cilën “ edhe nëse majmunë dalim pajtohemi vetëm muslimanë të mos jemi”.

Ndërsa dhuna fizike të cilën e cekëm më lartë manifestohej duke i detyruar me dhunë nxënësit të pinë ujë gjatë muajit të ramazanit, mos tolerimi i nxënëseve apo personelit arsimorë të mbajnë mbulesë fetare islame, keqtrajtimi dhe hakmarrja në nota ndaj atyre që vizitonin xhamitë, ofendimi i hoxhallarëve dhe tallja me ta etj.

2- Politika: Nga këta “ intelektual “ doli edhe një student i cili kishte vendosur ta bëjë një studim doktorature mbi veprën e një Prifti “ Çeta e Profetëve “ ku propagandonte ideologjinë krishtere dhe fyente besimin Islam dhe profetin e tyre. Ky student, me emër musliman dhe me ideologji krishtere u pa si simbol shumë i përshtatshëm nga priftërinjtë, për këtë u ftua në një kishë në Nju Jork në vitin 1989 që të flas rreth studimit të tij dhe ta promovojë atë. Me tu kthyer në Kosovë në dhjetor të këtij viti themelohet lidhja demokratike e Kosovës ( LDK ) në krye të së cilës u zgjodh ky student që tani më njihej si dr. Ibrahim Rugova.
Vet fakti që fotografinë e Papa Gjon Palit të II-të e mbante vazhdimisht mbi kokën e tij në zyrën e tij, dhe dilte vazhdimisht me gotë alkooli në publik duke i sfiduar traditat e popullit të tij shumicë, duke mos i demantuar asnjëherë spekulimet se ai e kishte ndryshuar fenë e tij, zgjedhjen e Vatikanit si vendqëndrim gjatë luftës, tregon për ideologjinë e tij e cila u kurorëzua me vënien e gurthemelit të një katedrale në qendër të kryeqytetit, në të cilin banonin vetëm disa qindra katolik, e gjithë kjo e vërteton përkushtimin e tij ndaj kësaj ideologjie.

Jo vetëm kjo, disa muaj më vonë pra me 10 Maj 1990 u themelua shoqata “ Nëna Terezë “ në amfiteatrin e Fakultetit Filozofik në UP, pra në mesin e këtyre ideologëve, në krye të së cilës u emërua Dom Lush Gjergji një priftë i cili vazhdimisht sulmonte dhe akuzonte shqiptarët muslimanë se ata kinse nga frika e Perandorisë Osmane kishin pranuar fenë Islame dhe se pasi kjo frikë u largua duhet t’i kthehen rrënjëve të tyre të krishtera. Ky njeri i cili ishte dhe mbetet ndër priftërinjtë më me ndikim në Kosovë shfrytëzoi shpeshherë ndikimin e tij që të ndërtohen kisha dhe të largohen musliman nga feja e tyre e të konvertohen në fenë krishtere edhe nëse ky konvertim ishte formal.
Kjo shoqatë, pra Nëna Terezë fondet e saj i thithte kryesisht nga shoqëria muslimane dhe shërbente në aspektin humanitar, por më shumë se kjo proklamonte figurën e një misionare krishtere pra Gongje Bojaxhiut, e cila jetën e saj ia kishte kushtuar misionit kishtar në Indi dhe njihej ndryshe edhe si “ Nëna Terezë e Kalkutës “ por propaganda shumë vjeçare bëri që ajo të shpallej edhe si figurë kombëtare, edhe pse shumë pak njihej kontributi i saj në vendet shqiptare.

Në krye të kësaj shoqate asnjëherë nuk erdhën personalitete tjera pos atyre krishtere, e të cilët ishin priftërinj ose të katolik, por vjelja e fondeve vazhdon deri në ditët e sotit.

Po ashtu në vitin 1990 pak muaj më vonë themelohet edhe Partia demokristiane e Kosovës ( PShDK ) e cila do të zhvillonte aktivitetin e saj nën hijen e Partisë më të madhe shqiptare të paraluftës LDK-së, e cila deri pas luftës ndante fonde të veçante për këtë parti PShDK-në që t’ia vazhdoj ekzistencën simotrës së saj, duke mos dhënë asnjëherë përgjegjësi para elektoratit të saj me shumicë absolute muslimane për këto fonde.

Ky elektorat edhe sot e kësaj dite vazhdon të fyhet rënd nga politikan të ndryshëm, vetëm dallimi është se të hershmit punonin nën hije, kurse me shumimin e partive politike u shumuan edhe zërat e ideologjisë së tyre kundrejt popullit të tyre dhe traditave të tyre.

3- Mediet: mediet qofshin ato të shkruara, të dëgjuara apo të shikuara, u bën vatra të këtyre ideologjive. Disa prej tyre, duke i tejkaluar të gjithë kufijtë e profesionit të tyre vazhdonin të shpifnin e ta sulmonin popullin e gjorë pareshtur, t’i gjykojnë bindjet e tyre, t’i përbuzin praktikat e tyre, t’i ofendojnë fondamentet e fesë së tyre dhe duke shfaqur urrejtje e mosdurim fetarë haptazi, duke vepruar kundër çdo kushtetute njerëzore dhe kundër kushtetutës së vendit të tyre, por deri në ditët e sotit nuk merret asnjë masë kundër tyre.

Kurse rrjetet sociale ua lehtësuan “ lehjen “ këtyre personave, dhe ata që ishin brenda zgafelleve tani zëri i tyre kumbonte më shumë, sikur jehona e zërit në kodra, mbi to dëgjohet edhe këmbimi i gënjeshtrës edhe i të vërtetës, por kur mbi to shumohen gënjeshtarët, atëherë e humb kuptimin e vërteta.

Kështu ngjajnë edhe tezat e Mehmet Krajës, i cili bie në kundërshtim me veten e tij, por që e mashtron jehona e zërit të tij dhe mendon se çdo gjë që thotë apo imagjinon është e vërtetë.
Njëherë thotë se politika jugosllave u dha liri fetare shqiptarëve që ta zhduk identitetin kombëtarë, pastaj thotë se këshilli nacional serb e pa si rrezik elementin fetar. A e harron ky i nderuar se sa herë kanë luftuar serbët kundër shqiptarëve të cilët ishin pjesë e Perandorisë Osmane. Andaj si mund t’ua lejojnë një gjë për të cilën i ka luftuar me shekuj?

Ndërsa paraqitja si turk e disa shqiptarëve nuk merret si argument, por nëse e merr “ soji “ yt si argument, atëherë edhe kjo ka një shpjegim, ngase atyre ju ofrua mundësia që të jenë serb ose turk? Të ndërrojnë fenë e tyre dhe kombin e tyre dhe për këtë u deklaruan si turk, e assesi nuk iu ofrua zgjedhja në mes shqiptarit dhe turkut! Sepse sikur të ishte e vërtet një pretendim i tillë atëherë ky deklarim do të ndodhte edhe në Shqipëri!

Dhe po të ishe i sinqertë në tezën tënde atëherë nuk do ta elaboroje identitetin fetar islam kundër identitetit kombëtar shqiptar ngase kjo natyrshëm bie në kundërthënie, të cilës nuk je në gjendje t’ia zgjedhësh nyjën por futesh në qorr sokaqe! E udhës do ishte ta elaboroje identitetin islam kundër identitetit krishter, qoftë ai katolik ( shqiptar ) ose ortodoks ( serb ), atëherë do të vije në rezultat të sakta, kurse vendosja e identitetit islam kundër identitetit shqiptarë duke e bërë fenë krishtere si pjesë të saj tregon dinakërinë dhe shpirtligësinë tuaj.

Por e vërteta nuk është qëllimi yt, synimi yt është ofendimi i muslimanëve duke i quajtur edhe “ Laraman “ e nëse vërtetë ekzistojnë të tillë, kryelaramani meriton të jesh ti Mehmet Kraja dhe kjo për dy arsye:

E para: Në fenë krishtere ai i cili e le fenë e tij nga frika apo nga ndonjë përfitim material emërtohet me emrin më të keq, Juda Iskarioti!

E dyta: Në Islam nëse dikush e pranon fenë Islame jo me sinqeritet, ai quhet Munafik dhe vendi i tij është në fund të zjarrit.

Për këtë nuk meriton ti me fol për Kosovën e Kosovarët, të cilëve nuk ju lave asnjë derë qel pos zgjedhjen në mes fesë së tyre ose kombit të tyre, ndryshe sipas teje mbetemi “ Laraman “ kjo është kriza nëpër të cilën kalojnë ata që ndjekin këtë ideologji!

Ne krenohemi që si shqiptar e musliman kosovarë e kemi mbrojtur këtë vatan me gjak e me djersë dhe historia e vërtetë e vërteton këtë gjë, histori të cilën ose nuk e ke lexuar e dëgjuar ose e ke dëgjuar por të pëlqejnë më shumë referencat sllave.
Mr. Rijad Imeri