Rikthehet në funksion Beeper Mini një ditë pas bllokimit nga Apple

Aplikacioni kishte mbështetje për foto dhe video të cilësisë së lartë, indikatorë shkrimi, indikatorë leximi, reagime e etj.

Beeper Mini, aplikacioni i cili sjell mesazhet me tekst me flluska blu të iMessage në Android, është rikthyer në funksion ditën e Hënë pas një fundjave ku Apple vendosi të bllokojë shërbimin e aplikacionit me pretendimin se është një kërcënim sigurie.

Tashmë startupi pas aplikacionit ka rifilluar operacionet por nuk ka dhënë detaje sesi ka arritur të anashkalojë bllokadën e Apple.

Beeper Mini do të jetë falas për një periudhë kohe, nisur nga natyra e paqëndrueshme e aplikacionit dhe përpjekjeve të Apple për ta mbyllur.

Themeluar nga ish krijuesi i orëve Pebble Eric Migicovsky, Beeper ka funksionuar më parë si një aplikacion që mblidhte të gjitha bisedat e përdoruesve në një ndërfaqe të vetme.

Por pasi zbuloi një teknologji që i bënte të mundur të integronte protokollin e iMessage, vendosi të krijojë një aplikacion të ri quajtur Beeper Mini për të sjellë bisedat e iMessage në Android për 1.99 dollarë në muaj.

Aplikacioni kishte mbështetje për foto dhe video të cilësisë së lartë, indikatorë shkrimi, indikatorë leximi, reagime e etj.

Aplikacioni hyri në listën e 20 më të shkarkuarve në Play Store duke marrë 100 mijë shkarkime në 48 orë.

Bllokimin e Beeper Mini nga Apple e kritikoi edhe senatorja Amerikane Elizabeth Warren përmes një postimi në X.