Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Rikthehet njeriu që do të bëjë lëmsh Spanjën…

Rikthehet njeriu që do të bëjë lëmsh Spanjën…

Pas nëntë vitesh në arrati, rishfaqet lideri separatist i Katalonjës

Ish-presidenti separatist i Katalonjës, Carles Puigdemont, ka njoftuar se do të rikthehet në Katalonjë më 12 dhjetor, pas nëntë vitesh qëndrimi jashtë Spanjës për t’i shpëtuar arrestimit dhe përballjes me drejtësinë.

Rikthimi i tij bëhet i mundur pas zbatimit të ligjit të amnistisë, i cili e përjashton nga përgjegjësia penale për çështjet që lidhen me përpjekjen për pavarësinë e rajonit.

Puigdemont akuzohej për disa vepra penale për organizimin e referendumit të pavarësisë së Katalonjës në tetor të vitit 2017, i cili ishte shpallur i paligjshëm nga shteti spanjoll. Pas zhvillimit të votimit, ai u largua nga Spanja dhe u vendos në Belgjikë, ku qëndroi për nëntë vjet për t’iu shmangur arrestimit.

Vendimi për t’u kthyer vjen pasi Gjykata e Lartë e Spanjës vendosi të hënën të zbatojë edhe për të ligjin e amnistisë, të miratuar nga parlamenti me propozimin e qeverisë socialiste të Pedro Sánchez.

Me këtë vendim, gjykata shpalli të shuar përgjegjësinë penale të Puigdemontit, duke i hapur rrugën rikthimit të tij pa rrezikun e arrestimit për çështjen në fjalë.

Megjithatë, lideri separatist ka zgjedhur të kthehet vetëm pas zgjedhjeve parlamentare spanjolle të së dielës, më 29 nëntor.

Puigdemont vazhdon të jetë në krye të Junts per Catalunya, një parti katalanase e qendrës së djathtë që mbështet pavarësinë e rajonit. Por formacioni politik po kalon një periudhë të vështirë në sondazhe dhe rrezikon të regjistrojë rezultatin më të dobët elektoral në historinë e tij.

Mbështetësit e tij dhe një pjesë e drejtuesve të partisë kishin shpresuar që Puigdemont të rikthehej përpara zgjedhjeve, me qëllim që të ndikonte në rritjen e mbështetjes elektorale. Deri tani, ai e ka zhvilluar fushatën nga distanca.

Gjatë një konference për shtyp të mbajtur sot, Puigdemont bëri të ditur se do të udhëtojë me avion nga Brukseli drejt aeroportit El Prat në Barcelonë, prej nga do të shkojë drejtpërdrejt në Parlamentin e Katalonjës.

Ai nuk dha shumë detaje për planet e tij të ardhshme, por deklaroi se synon të marrë pjesë në seancën e ardhshme plenare të parlamentit rajonal, e parashikuar për javën e 14 dhjetorit, ku do të mbajë edhe një fjalim.

Gjithashtu, më 17 dhjetor, ai paralajmëroi organizimin e një konference në Barcelonë, ku synon të përditësojë strategjinë e lëvizjes për pavarësinë e Katalonjës. Puigdemont nuk e ka përjashtuar as mundësinë e organizimit të një referendumi të ri për shkëputjen nga Spanja.

Njoftimi për rikthimin e tij ka nxitur spekulime mbi të ardhmen politike të liderit separatist. Megjithatë, deri tani ai nuk ka bërë të ditur nëse synon të kandidojë sërish për postin e presidentit të Katalonjës.

Për momentin, Puigdemont ka deklaruar se dëshiron të udhëtojë nëpër rajon, të takohet me banorët dhe të kuptojë nga afër situatën aktuale politike dhe shoqërore.

Pas nëntë vitesh në ekzil, rikthimi i tij pritet të rikthejë në qendër të debatit politik spanjoll çështjen e pavarësisë së Katalonjës dhe marrëdhëniet mes Barcelonës dhe Madridit. /tesheshi