Ronaldo për herë të 17-të në Librin e Rekordeve “Guinness”

Sulmuesi portugez, Cristiano Ronaldo ka fituar një tjetër titull të rekordeve botërore Guinness, si sportisti me fitimet më të larta në vitin 2023.

38-vjeçari vlerësohet të ketë fituar 107.5 milionë funte apo 125 milionë euro në 12 muajt e fundit deri më 1 maj 2023.

Ai e merr titullin nga Lionel Messi, i cili ishte sportisti më i paguar i vitit 2022, me rreth 120 milionë euro kur ai ishte ende në listën e Paris Saint-Germain.

Të ardhurat rekorde të superyllit të Al Nassr përbëhen nga 41 milionë euro fitime në fushë dhe 80 milionë euro nga marrëveshjet tjera jashtë fushës.

Fitimet në terren përfshijnë pagat, paratë e çmimeve dhe bonuset, ndërsa fitimet jashtë fushës janë një vlerësim i marrëveshjeve të sponsorizimit, tarifave të paraqitjes dhe të ardhurave nga licencimi.

Ronaldo ka të ardhura të mëdha jashtë fushës, të cilat përbëhen nga kontrata e tij fitimprurëse me Nike dhe përmes mallrave të tij të markës CR7.