Në ditën kur Rusia ka rrethuar e bombarduar qytetet strategjike të Ukrainës, Perëndimi ka nisur të shfaqë shenjat e para të përçarjes pas gatishmërisë amerikane për të shqyrtuar mundësinë e ndalimit të importit të gazit rus.
Britania, Gjermania e Holanda kanë kundërshtuar thirrjet e liderëve të Ukrainës, derisa miliona ukrainas civilë po përballen me mungesë ushqimi, uji e ngrohjeje pas përshkallëzimit të sulmeve të Rusisë, që kërkon dorëzimin e ukrainasve.
Kriza humanitare në Ukrainë u thellua të hënën, teksa forcat ruse intensifikuan bombardimet e tyre, derisa u përshkallëzua edhe më shumë mungesa e ushqimit, ujit, ngrohjes dhe ilaçeve, në atë që vendi e dënoi si rrethim të stilit mesjetar nga Moska, për ta goditur atë deri në nënshtrim.
Rundi i tretë i bisedimeve midis dy palëve përfundoi me zyrtarin e lartë ukrainas që deklaroi se ka pasur përparim të vogël dhe të paspecifikuar drejt krijimit të korridoreve të sigurta që do të lejonin civilët të shpëtonin nga luftimet. Kryenegociatori rus tha se pret që këto korridore të fillojnë të funksionojnë të martën.
Por kjo mbeti për t’u parë, duke pasur parasysh dështimin e përpjekjeve të mëparshme për t’i çuar civilët drejt zonave të sigurta mes luftës më të madhe tokësore në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Së paku 1.5 milionë refugjatë janë larguar deri tani nga Ukraina, ka bërë të ditur OKB-ja në ditën e dymbëdhjetë të pushtimit rus të ish-Republikës sovjetike.
Turqia ka bërë të ditur se ua ka mbushur mendjen ministrave të jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës që të takohen të enjten në Ankara për të shqyrtuar mundësinë e arritjes së një ujdie ndërmjet dy shteteve fqinje.
Kushtet ruse “për nënshtrimin e Ukrainës”
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se Rusia do të ndalojë aksionin e saj ushtarak në Ukrainë nëse Kievi i përmbush katër kushtet ruse.
Në një intervistë me Reuters të hënën, Peskov tha se Moska mund t’i japë fund luftës menjëherë nëse Ukraina pranon të nënshkruajë një marrëveshje neutraliteti që do ta ndalonte hyrjen në NATO, do ta njihte Krimenë si ruse, do të njihte rajonet e Luhanskut dhe Donetskut si të pavarura dhe do të pushonte të gjitha veprimet ushtarake.
Peskov konfirmoi se negociatorëve ukrainas “iu tha se e gjithë kjo mund të ndalet në një moment”.
Kievi zyrtar i ka bërë thirrje të hënën Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që të urdhërojë Rusinë ta ndalë pushtimin shkatërrues, duke akuzuar Moskën zyrtare për bombardimet e vazhdueshme. Përfaqësuesi ukrainas ka thënë se “Rusia duhet të ndalet dhe se Gjykata ka një rol për ta ndaluar”.
“Bota u tha: kurrë më djajve binjakë të nazizmit, agresionit dhe gjenocidit. Fatkeqësisht sot Rusia ka përçudnuar ato fjalë. Nuk e merr parasysh detyrën për të parandaluar dhe ndëshkuar gjenocidin si detyrim të shenjtë. E trajton si armë”, ka deklaruar Anton Korynevych, përfaqësues i Ukrainës. “Me pretendimin e rrejshëm për gjenocid, Rusia po përdor një shtyllë të së drejtës ndërkombëtare legale për të shkatërruar një tjetër”.
Kievi akuzoi Moskën se po kryen krime të përhapura lufte.
Rusia “po përdor taktika që të kujtojnë rrethimin mesjetar të luftës, duke rrethuar qytetet, duke prerë rrugët e zhvendosjes dhe duke goditur popullsinë civile me municione të rënda”, tha Jonathan Gimblett, anëtar i ekipit ligjor të Ukrainës.
Rusia kundërshtoi procedurat gjyqësore duke i lënë bosh vendet e saj në Sallën e Madhe të Drejtësisë.
Liderët e Bashkimit Evropian do të diskutojnë në ditët në vazhdim për aplikimin e Ukrainës në bllokun evropian. Njoftimin e ka bërë presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
Shenjat e përçarjes së Perëndimit
Ish-presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, ka thënë se Rusia në Ukrainë nuk po lufton vetëm kundër ukrainasve, por edhe ndaj Perëndimit. Ai u ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës që t’u ofrojë ukrainasve aeroplanë luftarakë.
“Dhe kjo nuk është luftë kundër Ukrainës, kjo nuk është luftë kundër ukrainasve. Kjo është luftë kundër vlerave tona, luftë kundër mbarë Perëndimit, kundër SHBA-së, Evropës, Mbretërisë së Bashkuar. Dhe të gjithë duhet ta kuptojnë se në negociata duhet të jemi të bashkuar”, ka deklaruar Poroshenko. “Përnjëmend admiroj lidershipin e demonstruar nga presidenti Biden. Unë përnjëmend admiroj administratën në Kongres, por neve përfundimisht na duhen aeroplanë, aeroplanë luftarakë”, ka shtuar ai.
Presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelenskyy, i ka bërë thirrje Perëndimit për sanksione më të ashpra kundër Rusisë dhe për bojkotimin e eksporteve ruse. Zelenskyy i ka kërkuar botës mbarë që të mos blejë naftën dhe produktet e naftës ruse. Njëherësh ka thënë se bota nuk duhet të furnizohet me eksportet ruse nëse Rusia e vazhdon luftën kundër Ukrainës.
“Nëse Rusia nuk dëshiron të respektojë rregullat e civilizuara, atëherë ajo nuk duhet të marrë mallra dhe shërbime nga qytetërimi”, tha ai në një video-adresim.
Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka bërë thirrje për tërheqje “hap pas hapi” nga varësia nga nafta dhe gazi rus, si rezultat i luftës në Ukrainë. Pas bisedimeve me kryeministrat kanadez dhe holandez, Johnson tha se shtetet duhet të punojnë së bashku për të siguruar alternativa.
Kryeministri holandez, Mark Rutte, paralajmëroi se detyrimi i një bojkoti tani do të kishte “pasoja të mëdha”.
E kancelari gjerman, Olaf Sholz, ka dalë me qëndrim të ndryshëm pas gatishmërisë amerikane për të ndaluar importimin e gazit rus si pjesë e sanksioneve ndërkombëtare kundër Moskës.
“Evropa ka përjashtuar qëllimisht furnizimet energjetike nga Rusia nga sanksionet”, ka deklaruar Sholz. Ai ka thënë se aktualisht Evropa nuk ka alternativë të furnizimit rus me energji. “Andaj është thelbësore për përfitimin e shërbimeve publike dhe jetesës së qytetarëve tanë”, ka shtuar kancelari gjerman.
Spitalet e stërmbushura
Në terren në Ukrainë, raketat dhe tanket ruse që kanë rrethuar Ukrainën po kërcënojnë zinxhirin e furnizimit të ushqimit dhe jetesën e qytetarëve në Evropë, Afrikë dhe Azi, të cilat bazohen goxha theksueshëm nga tokat e pëlleshme bujqësore të rajonit të Detit të Zi, të njohura si “shporta e bukës e botës”.
Bujqit ukrainas janë detyruar të lënë anash fushat dhe arat e tyre për shkak të luftimeve, derisa po mundohen të shpëtojnë kokën e tyre. Janë mbyllur portet, prej të cilave transportoheshin drithërat.
Monedha ruse ndërkaq u këmbye me 131.25 për dollar dhe 143.3 për euro gjatë mëngjesit të së hënës.
Forcat e presidentit rus, Vladimir Putin, vazhduan të godasin qytetet me raketa dhe luftime të ashpra u zhvilluan në disa vende.
Në një nga qytetet më të dëshpëruara, porti jugor i rrethuar i Mariupolit, rreth 200.000 njerëz shpresonin të iknin dhe zyrtarët e Kryqit të Kuq prisnin të dëgjonin se kur do të krijohej një korridor.
Qyteti ka mungesë të ujit, ushqimit dhe rrymës, dhe rrjetet e telefonisë celulare janë të ndërprera. Dyqanet janë plaçkitur, ndërsa banorët kërkojnë mallra të domosdoshme.
Policia lëvizi nëpër qytet, duke i këshilluar njerëzit të qëndrojnë në strehimore derisa të dëgjojnë mesazhet zyrtare të transmetuara nga altoparlantët për t’u evakuuar.
Spitalet në Mariupol po përballen me mungesë të dëshpëruar të antibiotikëve dhe qetësuesve dhe mjekët kryen disa procedura urgjente pa to.
Që nga shpërthimi i armiqësive në Ukrainë, spitali i ndihmës së parë dhe i trajtimit urgjent në Kharkiv është vërshuar me pacientë të lënduar nga sulmet me raketa, shpërthimet dhe copëzat, derisa numri po vazhdon të rritet vazhdimisht.
Qyteti i dytë më i madh i Ukrainës në verilindje të vendit pranë kufirit rus ka mbajtur peshën kryesore të luftimeve, duke u goditur nga granatimet e rënda herët të hënën.
Rrethimi i Kievit
Dmitry Sedorenko, i cili ishte në spital me gruan dhe vajzën e tij, tha se një raketë ka goditur ndërtesën pesëkatëshe të banimit, duke shkaktuar shembjen e dyshemesë nën këmbët e tij.
“Unë mendoj se goditi katin e katërt poshtë nesh”, tha Sedorenko nga shtrati i tij. “Menjëherë gjithçka filloi të digjej dhe të shembej”. Kur dyshemeja u shemb poshtë tij, ai u zvarrit nëpër katin e tretë, duke kaluar mbi trupat e disa prej fqinjëve të tij.
Rusia ka mohuar vazhdimisht se ka shënjestruar zonat civile, duke fajësuar për granatimet grupet nacionaliste.
Mungesa e shërbimit telefonik bëri që qytetarët t’u afroheshin me ankth të panjohurve për të pyetur nëse njihnin të afërm që jetonin në pjesë të tjera të qytetit dhe nëse ishin të sigurt.
Në kryeqytetin Kiev, ushtarët dhe vullnetarët kanë ndërtuar qindra pika kontrolli, shpesh duke përdorur thasë me rërë, goma të grumbulluara dhe kabllo me thumba. Disa barriera dukeshin të rëndësishme, me pllaka të rënda betoni dhe thasë rëre të grumbulluar më shumë se dy kate, ndërsa të tjera dukeshin më të rastësishme, me qindra libra të përdorur për të rënduar tufat e gomave.
“Në çdo shtëpi, çdo rrugë, çdo pikë kontrolli, ne do të luftojmë deri në vdekje nëse është e nevojshme”, ka thënë kryetari Vitali Klitschko. “Ne po bëjmë gjithçka në kryeqytet për të mbështetur qytetin, për të krijuar një rezervë me ushqime, ilaçe, mallra thelbësore. Ne shpërndajmë dhe ofrojmë ndihma për ata që kanë më shumë nevojë sot. Ndihma humanitare u dërgua edhe në Chernihiv, një qytet në veri të Kievit. Kryeqyteti po përgatitet për mbrojtje. Unë u kërkoj të gjithë banorëve të Kievit të ruajnë qetësinë, të qëndrojnë në shtëpi ose, në rast alarmi, në strehimore”, ka shtuar ai.
Klitschko raportoi në një adresë video në Telegram se betejat e ashpra kanë vazhduar në rajonin e Kievit, veçanërisht rreth Bucha, Hostomel, Vorzel dhe Irpin.
Politika e tokës së djegur
Shtëpitë, kopshtet dhe automjetet në një periferi të Kievit janë shkatërruar nga granatimet, ndërsa trupat ruse përparojnë drejt kryeqytetit ukrainas. Horenka, fshat me 3000 banorë, rreth 20 kilometra në veri të Kievit, u granatua me raketa “Grad”, ka treguar Vasil Oksak.
“Çfarë po bëjnë ata?” – pyeti ai. “Këtu jetonin dy fëmijë të vegjël dhe dy të moshuar. Hyni dhe shikoni se çfarë kanë bërë”.
Luftimet midis trupave ukrainase dhe ruse po zhvillohen vetëm 3 kilometra nga fshatit. Disa nga ushtarët e plagosur u dërguan në Horenka nga fusha e betejës. Një tjetër banor vendës, Serhii Shevchenko, tha se artileria ruse po synonte makinat e vullnetarëve që ndihmonin trupat.
Në zonën e Irpinit, ku janë ndërprerë energjia elektrike, uji dhe ngrohja për tri ditë, dëshmitarët panë të paktën tri tanke dhe thanë se ushtarët rusë po plaçkitnin shtëpi dhe makina.
Forcat ruse gjithashtu vazhduan ofensivën e tyre në Mykolaiv, duke hapur zjarr mbi qytetin rreth 480 kilometra (300 milje) në jug të Kievit, sipas ushtrisë së Ukrainës. Ekipet e shpëtimit thanë se po shuanin zjarret e shkaktuara nga sulmet me raketa në zonat e banuara.
Përpjekjet për të krijuar një korridor të sigurt për civilët gjatë fundjavës u shkatërruan mes bombardimeve të vazhdueshme ruse. Para fillimit të bisedimeve të së hënës, Rusia njoftoi një plan të ri, duke thënë se civilët do të lejoheshin të largohen nga Kievi, Mariupol, Kharkiv dhe Sumy.
Por kjo ofertë u hodh poshtë shpejt nga Ukraina dhe të tjerët si një gjest bosh dhe cinik, pasi shumica e rrugëve të evakuimit drejtoheshin drejt Rusisë ose aleates së saj, Bjellorusisë, e cila ka shërbyer si një pikënisjeje për pushtimin.
Zëvendëskryeministrja ukrainase, Irina Vereshchuk, e cilësoi propozimin si të papranueshëm.
“Unë nuk njoh shumë ukrainas që duan të kërkojnë strehim në Rusi. Kjo është hipokrizi”, tha presidenti francez, Emmanuel Macron, në një intervistë për transmetuesin francez të lajmeve LCI.
Në vend të kësaj, Ukraina propozoi tetë rrugë që lejojnë civilët të udhëtojnë në rajonet perëndimore të vendit ku nuk ka granatime.
Beteja për Mariupolin është vendimtare, sepse kapja e tij mund t’i lejojë Moskës të krijojë një korridor tokësor për në Krime, të cilin Rusia e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014.
Çmimet në qiell
Luftimet kanë shkaktuar rritje të çmimeve të energjisë në mbarë botën dhe rënie të stoqeve, dhe kërcënon furnizimin me ushqim dhe jetesën e njerëzve anembanë globit që mbështeten në të korrat e kultivuara në rajonin pjellor të Detit të Zi.
Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut raportoi 406 vdekje të konfirmuara të civilëve, por tha se numri është i ulët krahasuar me raportimet. Pushtimi ka bërë që 1.7 milionë njerëz të largohen nga Ukraina.
Pushtimi i Rusisë i ka trembur vendet e afërta se dhuna mund të përhapet.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, filloi një vizitë të papritur në shtetet baltike të Letoni, Lituani dhe Estoni, ish-republika sovjetike që janë anëtare të NATO-s. Blinken shpresonte t’i siguronte ata për mbrojtjen e aleancës.
“SHBA-ja po forcon mbrojtjen tonë të përbashkët, kështu që së bashku me aleatët jemi të gatshëm t’i bëjmë ballë çdo kërcënimi”, tha ai.
Perëndimi i ka dërguar armë Ukrainës, por NATO-ja nuk ka treguar interes për dërgimin e trupave në vend dhe ka hedhur poshtë lutjet e Zelenskyy për të krijuar një zonë të ndalim-fluturimit nga frika se mos shkaktonte një luftë më të gjerë. /koha





