Rriten çmimet e biletave të Trafikut Urban

Zyrtarët e Komunës së Prishtinës kanë njoftuar për tarifat e reja që do të alplikohen prej nesër. Në njoftimin e Komunës thuhet se bileat një drejtimëshe që deri tash ishte 0.40 euro është rritur për dhjetë centë 0.50 euro.

Ky është njoftimi i plotë i Komunës së Prishtinës:

Komuna e Prishtinës në kuadër të Marrëveshjes së Kredisë mes Trafiku Urban Prishtinë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), me qëllim të përmirësimit të shërbimit të transportit publik dhe inkurajimit të qytetarëve për përdorimin e autobusëve, ka riorganizuar planin e tarifimit.

Për të gjithë përdoruesit e rregullt, çmimi i biletës mujore nga 14.00€ do të zbresë në 13.50€

Në anën tjetër, për t’iu përshtatur nevojave të të gjithë qytetarëve, kemi përfshirë në planin tarifor biletat javore dhe ditore shumëpërdorimëshe:

Bileta Ditore përfshin udhëtime vajtje-ardhje pa limit përgjatë 24 orëve, me çmimin 0.80€
Bileta Javore përfshin udhëtime vajtje-ardhje pa limit në të gjitha ditët e javës, me çmimin 4.00€

Një biletë e rregullt autobusi, e cila mund të përdoret vetëm për një drejtim, do të ketë çmimin 0.50€.

Kartelat javore dhe mujore mund t’i bleni në pikat e shitjes së Trafikut Urban:

Kioska me logon e Trafiku Urban, prapa Objektit të Komunës së Vjetër (tek “Plepat”),
Kioska me logon e Trafiku Urban, në lagjen Kodra e Diellit, tek ”Banesat e Bardha”.

Ndërsa, Biletat Ditore 24 orëshe dhe ato me një drejtim, mund t’i bleni si zakonisht në autobus, duke u pajisur me kupon fiskal.

Ju njoftojmë që plani i ri tarifor do të aplikohet nga data 31 janar 2023.