Rritet në 100 numri i të vdekurve nga shpërthimi në Bejrut

Kryqi i Kuq i Libanit njoftoi se numri i të vdekurve nga shpërthimi i djeshëm në kryeqytetin e Libanit, Bejrut është rritur në 100, ndërsa i të plagosurve në 4.000, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sekretari i përgjithshëm i Kryqit të Kuq të Libanit, George Kettaneh, në një deklaratë për televizionin LBC të Libanit, tha se nga shpërthimi në Portin e Bejrutit kanë humbur jetën 100 persona, ndërsa janë plagosur 4.000 të tjerë.

Ai tha se ende gjenden persona nën rrënoja, duke shtuar se kapaciteti i spitaleve në Bejrut është mbushur.

Kryeministri Hassan Diab për shkak të shpërthimit ditën e mërkurë e shpalli “ditë zie kombëtare”.

– Vendet e rajonit ofrojnë ndihmë

 Shumë vende fqinje dhe rajonale i ofruan ndihmë Libanit pas shpërthimit masiv në kryeqytetin Bejrut.

Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, realizoi një bisedë telefonike me presidenti libanez, Michel Aoun, të cilit i shprehu ngushëllime. Al Thani po ashtu udhëzoi autoritetet e Katarit që të dërgojnë spitale të përkohshme në Liban.

Në një deklaratë, po ashtu edhe kryeministri i Irakut, Mustafa al-Kazimi, shprehu ngushëllimet e tij dhe uroi shërim të shpejtë për të plagosurit.

Ndërsa udhëheqësi i Qeverisë Rajonale Kurde (KRG) të Irakut, Nechirvan Barzani, në rrjetet sociale shkroi se ata qëndrojnë me popullin libanez.

Presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah El-Sisi, po ashtu shprehu ngushëllime për popullin libanez dhe qeverinë e këtij vendi.

Ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Mohammad Javad Zarif, në rrjetet sociale shkroi se vendi i tij “është plotësisht i përgatitur të japë ndihmë në çfarëdo mënyre të nevojshme”.

Ministri i Punëve të Jashtme i Jordanisë, Ayman Safadi, tha se vendi i tij është gati të dërgojë çdo lloj ndihme të nevojshme në Liban për këtë shpërthim.

Nga ana tjetër, edhe ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Benny Gantz dhe ministri i Punëve të Jashtme, Gabi Ashkenazi, ofruan ndihmë dhe thanë se ata janë të gatshëm të dërgojnë ndihmë mjekësore dhe humanitare përmes ndërmjetësve ndërkombëtar.

Kreu i Këshillit të Lartë i Shtetit të Libisë, Khalid al-Mishri, në rrjetet sociale shprehu “ngushëllimet e tij më të thella” dhe uroi shërim të shpejtë për të gjithë ata që u plagosën.

Një zjarr në një depo që përmbante eksploziv në portin e Bejrutit çoi në shpërthimin që shkatërroi një ndërtesë tre-katëshe dhe u dëgjua në të gjithë kryeqytetin dhe periferitë e tij.