Rritja e vazhdueshme e çmimeve rëndon jetën e qytetarëve, kërkohet nga Qeveria t’i vëzhgojnë bizneset

Kryetari i shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, në një intervistë për Ekonomia Online është shprehur se qytetari konsumator nuk është njohur si sovran, taksapagues dhe faktor i rëndësishëm në vendimmarrje, por i diskriminuar dhe i anashkaluar. Krahas rritjes së çmimit në produktet esenciale, qytetarët kërkojnë edhe rrijte të pagës.

“Edhe ky vit ka qenë shumë i vështirë për arsye se ka pasur shumë lëvizje të çmimeve. Për fat të keq, shumica e çmimeve kanë lëvizur nga lart dhe fati edhe më i keq është se as sivjet, as kjo legjislaturë qeveritare nuk e ka njohur konsumatorin e Kosovës, nuk e ka njohur as si sovran, as si elektoral, as si konsumator, as si taksapagues ligjërues të buxhetit të Republikës së Kosovës. Të gjitha këto mosnjohje dëshmojnë se qytetari konsumator nuk është njohur dhe nuk i njihet e drejta demokratike e njeriut, as e njeriut qytetar konsumator dhe këto janë elemente shumë indinjuese dhe qytetari konsumator po ndihet shumë i shkelur, shumë i diskriminuar dhe i indinjuar.”

Sipas tij, pandemia, luftërat dhe mungesa e kapaciteteve qeverisëse kanë ndikuar në rritjen e çmimeve dhe në mosbashkëpunim me shoqërinë civile.

“Mendoj që pesë vjeçari ka shumë pak dallim, sepse me fillimin e pandemisë kanë filluar të shtohen telashet, sepse COVID-i ka ardhur si problem kombëtar, si problem i tregut global. Pastaj filluan edhe luftërat, duke filluar nga Ukraina dhe të tjerat. Të gjitha këto ngjarje sikur e hoqën nga takti edhe menaxhmentin diplomatik e politik dhe ne, në një klasë politike dhe qeverisëse të njomë, si shtet i njomë, si duket nuk patëm kapacitet të mjaftueshëm dhe jemi këtu ku jemi, të mosnjohur dhe pak të interesuar që në bashkëpunim me qeverinë ta japim kontributin tonë.”

Qytetarët kërkojnë që rritja e çmimeve të shoqërohet me rritje të pagave dhe pensioneve, ndërsa shprehin shqetësim për rritjen e energjisë elektrike dhe barrën që, sipas tyre, po bie mbi shtresat e varfra.

Qytetari që nuk deshi të prononcohet me emër tha se me rritjen e çmimeve duhet të rriten edhe pagat dhe pensionet.

“Si janë rritur çmimet, t’i rrisin edhe pagat edhe pensionet dhe të gjitha. Si shkojnë çmimet, shkojnë pagat. Energjia elektrike nuk bën me u ngrit, sepse më shumë e prodhon Kosova. Dikush nga ata që kanë mundësi e paguajnë, ndërsa këta milionerët paguajnë si të dojnë, ka gjasa që nuk paguajnë fare, e paguajnë të varfrit.”

Kurse Ilir Binaka kërkon më shumë reflektim dhe ndërhyrje nga qeveria për të ndalur rritjen e çmimeve.

Ai tregon raste të abuzimit, ku produktet shiten më lirë për shkak se janë të skaduara, duke dëmtuar drejtpërdrejt konsumatorin.

“Duhet më shumë me reflektuar edhe qeveria, edhe pse konsiderohet centralizim qeveria për ta ndaluar rritjen e çmimeve. Shkova e mora një produkt i cili kishte rënë prej 15 euro në gjashtë euro, por shkova në banesë e pashë që i kishte skaduar afati. U interesova te ai produkt dhe e pashë përsëri produktin e skaduar dhe këtu e pëson konsumatori. Nuk është vetëm ky rast dhe këtu duhet me pasur dorë shteti dhe jo me u arsyetuar. Ka rritje të çmimeve, ka lojëra të çmimeve.”

Ndërsa qytetari Izet Zhitia theksoi se kjo rritje po e ul mirëqenien familjare dhe çmimet mund të bien vetëm në kushte stabiliteti global.

“Ne nuk mundemi me u nda prej botës, po e shihni se çka po bëhet, luftëra gjithandej. Çmimet janë të parat që reagojnë, edhe biznesi edhe njerëzit. Biznesi reagon duke i rritur çmimet, konsumatorët janë të pakënaqur sepse rritja e çmimeve ia zvogëlon buxhetin, mirëqenien sociale në familjen e vet. Çmimet vetëm në situatën kur është qetësia botërore mund të ulen”, përfundoi Zhitia.