Ballina Kulturë Rrugëtimi i hafizit më të ri në Ballkan

Rrugëtimi i hafizit më të ri në Ballkan

Për Berkinin, përkushtimi ndaj mësimit të hifzit nuk është pengesë për suksesin në shkollë. Ai beson se me dëshirë dhe punë mund të arrihen të dyja.

Shkupi prej kohësh njihet si një nga qendrat me traditë të fortë të mësimit të Kur’anit në rajon. Qyteti ka nxjerrë shumë hafizë ndër vite, duke ruajtur një kulturë të veçantë të përkushtimit ndaj memorizimit të Kur’anit. Kjo traditë vazhdon edhe sot, ndërsa gjeneratat e reja po e mbajnë gjallë këtë rrugë të dijes dhe devotshmërisë.

Një nga historitë më frymëzuese që vjen nga Shkupi është ajo e Berkin Veselit, i cili në moshën vetëm 10-vjeçare është bërë një nga hafizët më të rinj në Ballkan.

“Kam qenë shumë krenar që jam bërë hafizi më i ri nga Shkupi dhe në Ballkan dhe jam ndjerë shumë mirë”, tregon ai.

Sipas Berkinit, momenti vendimtar në këtë rrugë ishte kur në moshën tetëvjeçare filloi ta lexojë rrjedhshëm Kuranin. Ky ishte hapi që e shtyu të vazhdonte drejt qëllimit për ta mësuar përmendësh librin e shenjtë.

Ai thekson se mbështetja më e madhe në këtë rrugëtim kanë qenë prindërit e tij.

“Sigurisht që prindërit kanë qenë mbështetja ime më e madhe që unë të bëhem hafiz i Kur’anit”, thotë ai.

Për të arritur këtë qëllim, Berkini i është përkushtuar me disiplinë të madhe mësimit. Për dy vite rresht ai ka studiuar çdo ditë nga dy deri në tre orë.

“Për dy vite rresht në ditë nga 2 ose 3 orë kam lexuar që ta arrij këtë qëllim”, shprehet ai.

Edhe pse rrugëtimi nuk ka qenë pa sfida, ai ka arritur t’i kapërcejë ato me këmbëngulje. Një nga suret që i ka shkaktuar më shumë vështirësi ishte surja El Vakia.

“Por unë kam vendosur se do ta mësoj dhe me lejen e Allahut e mësova”, thotë Berkini.

Ndërkohë, një nga suret që e pëlqen më shumë është surja Al-Imran. Suksesi i tij është pritur me shumë gëzim edhe nga shokët e klasës.

“Shokët e klasës më kanë mirëpritur shumë mirë në shkollë sepse kanë qenë të gëzuar që unë jam bërë hafiz”, tregon ai.

Për Berkinin, përkushtimi ndaj mësimit të hifzit nuk është pengesë për suksesin në shkollë. Ai beson se me dëshirë dhe punë mund të arrihen të dyja.

“Mësimi i hifzit nuk është pengesë për të qenë i suksesshëm në shkollë sepse me dëshirë dhe punë i arrin të dyja”, përfundon ai.