Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se presidenti i SHBA-së Donald Trump synon një zgjidhje përfundimtare që t’i japë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës. Deklarata u bë pas takimit të Rubios me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih.
Rubio tha se bisedimet u fokusuan te siguria e Ukrainës dhe forcimi i bashkëpunimit në mbrojtje dhe ekonomi. Takimi paraprin bisedimet e planifikuara trepalëshe në Gjenevë, teksa administrata Trump vlerëson hapat e ardhshëm në konflikt.
Në Mynih, Rubio zhvilloi edhe takime me liderë nordikë, duke theksuar fokusin e SHBA-së në shpenzimet e mbrojtjes, sigurinë në Arktik dhe bashkëpunimin energjetik. Ai u takua me presidentin e Finlandës Alexander Stubb dhe kryeministrin norvegjez Jonas Gahr Støre, duke nënvizuar rolin strategjik të Norvegjisë në Arktik dhe rëndësinë e Grenlandë.
Rubio theksoi se SHBA vlerëson partneritetin me Finlandën në NATO dhe synon bashkëpunim me Norvegjinë për sigurinë e zinxhirëve të furnizimit, përfshirë mineralet kritike. /mesazhi








