Presidenti i Rumanisë, Nicusor Dan, ka bërë të ditur se forcat rumune kanë rrëzuar një dron që kishte hyrë në hapësirën ajrore të vendit, duke shënuar incidentin e tretë të tillë brenda tre ditësh, transmeton Anadolu.
“Një dron i ri u rrëzua këtë mëngjes, në orën 10:13, nga një avion F-16 i Forcave Ajrore Rumune, mbi ujërat territoriale të Rumanisë, në zonën Sulina-Chilia”, tha Dan në rrjetin social amerikan X.
Ai tha se incidenti pasoi rrëzimin e dronëve nga forcat rumune të premten dhe të shtunën.
Dan tha se një hetim i Prokurorisë së Përgjithshme konstatoi se droni i rrëzuar dje ishte i tipit Shahed, i përdorur nga Rusia në luftën e saj kundër Ukrainës.
Ai tha se hetimet për incidentet e sotme me dronë dhe së dielës janë ende në zhvillim.
“Protesta diplomatike e Rumanisë ndaj Federatës Ruse do të bazohet në këto hetime. Është e papranueshme dhe e patolerueshme që Federata Ruse të vazhdojë të shkelë hapësirën ajrore të Rumanisë, e cila është njëkohësisht hapësirë ajrore e NATO-s dhe e BE-së”, tha Dan.






