Rusët zgjedhin sot presidentin e tyre

Në Rusi sot mbahen zgjedhjet presidenciale, në të cilat gjasat më të mëdha për të fituar i ka presidenti aktual i vendit Vladimir Putin, i cili pritet të fitojë një mandat të katërt, raporton Aanadolu Agency (AA).

Nga shkaku i zonave të ndryshme kohore, votimi në lindjen e largët të federatës së Rusisë filloi të enjten në ora 20:00 sipas kohës lokale, ndërsa nëntë orë më vonë, u hapën edhe vendvotimet në Moskë.

Putin, i cili në vitin 2000 u zgjodh për herë të parë president i Rusisë, në zgjedhjet e sotme paraqitet si kandidat i pavarur, ndërkohë që u bëri thirrje qytetarëve të dalin të votojnë në mënyrë që të merret në konsideratë mendimi i tyre lidhur me caktimin e së ardhmes së vendit.

Ai votoi në Moskë, pas çka deklaroi se pavarësisht numrit të votave, secila votë paraqet sukses për të.

“Programi të cilin e propozova për shtetin, është ai i vërteti”, deklaroi Putin, i cili garon bashkë me shtatë kandidatë të tjerë.

Këtë vit, vetëm dy nga katër partitë në parlament i emëruan kandidatët për garën presidenciale, Vladimir Zhirinovsky nga Partia Liberale Demokratike (LDPR) dhe Pavel Grudinin nga Partia Komuniste.

Pesë nga kandidatët janë emëruar nga partitë opozitare që nuk janë të përfaqësuara në parlamentin rus, edhe atë Boris Titov nga Partia e Zhvillimit, Grigory Yavlinsky nga Partia Yabloko, Ksenia Sobchak nga Iniciativa Civile, Sergei Baburin nga Unioni Popullor Rus dhe Maxim Suraykin nga Komunistët e Rusisë.

Zgjedhjet në Rusi monitorohen nga 145.000 vëzhgues nga të cilët 1.500 janë të huaj, ndërkohë që vëzhgues ka akredituar edhe lëvizja opozicionare e Aleksej Navallnit, të cilit i është ndaluar garimi.

Sondazhet flasin se Putin ka një avantazh i cili i garanton një fitore të re.

Rezultatet e para priten të bëhen të ditura në mbrëmje.